Sikurse është bërë me dije së fundmi Jonida Vokshi do prezantojë “Big Brother VIP Kosova” krah Alaudin Hamitit. Sezoni i parë i reality-show në Kosovë pritet të ketë premierën këtë vjeshtë teksa ende nuk ka asnjë datë.
Pavarësisht konkurrencës që programi mund të ketë me formatin në Shqipëri, raportet mes produksionit të secilit duket shumë i mirë. Madje, Arbana Osmani që ka prezantuar “Big Brother” edhe në versionin klasik në vendin tonë nuk ka ngurruar t’i lëjë një koment Jonidës.
Krah postimit të saj në Instagram, Arbana shkruan: “Suksese, zemër” teksa i ka dërguar edhe një përqafim.
Ende nuk ka emra konkret rreth pjesëmarrësve por pritet të ketë personazhe VIP nga Shqipëria dhe Kosova. Në Shqipëri formati pritet të fillojë në fund të dhjetorit. Gjatë një interviste në “n’Za” Alaudini u pyet se cili ishte komenti i prezantueses së formatit në Shqipëri në një nga takimet e përbashkëta të cilat kanë pasur, si përfaqësues të shteteve që kanë licencën e formatit “Big Brother”. Me doza humori, Alaudini tha i ka thënë “Edhe ju këtu?”. Prezantuesi i njohur i ‘Klan Kosova’ zbuloi më pas se Arbana i ka thënë që çdo gjë do të shkojë mirë nëse i përmbahen rregullave të patentës. Gjithashtu zbuloi se procesi i sigurimit të të drejtave të “Big Brother” për Kosovën ka nisur në tetor të vitit të shkuar dhe është mbajtur për muaj të tërë sekret.
Duke folur mbi eksperiencën e re që e pret, Jonida zbuloi më shumë detaje për momentin kur mori propozimin.
“Ftesën për të qenë pjesë e projektit si fillim e mora nga telefoni pasi ndodhesha në Tiranë. I hipa makinës menjëherë dhe u nisa drejt Prishtinës. E kam pritur me shumë qejf, dëshirë dhe vlerësim këtë lajm. Jam e nderuar të jem pjesë e këtij projekti kaq të madh që sigurisht do të shënjojë një pikë të rëndësishme në karrierën time. Pritet që të jetë një super spektakël që do të bëhet pjesë e çdo familjeje shqiptare deri në javën e fundit”, u shpreh ajo. /Panorama Plus