Detaje të reja zbulohen nga ngjarja e rëndë e ndodhur paraditen e sotme në sheshin “Liria” në Durrës. 60-vjeçarja F. G., tentoi të vetëdigjej me benzinë për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike, që ka në familje.

Ajo është shprehur se merr vetëm 70 mijë lekë të vjetra në muaj dhe djalin e ka të papunë.

“Shkojmë nëpër zyra dhe askush nuk na ndihmon, vetëm na përzejnë. S’kam asnjë krah, kam vetëm një pension 70 mijë lekë. Djali i shkretë mundohet të gjejë punë, nuk mundet. E kam lyer trupin me benzinë, unë do digjem këtu para bashkisë”, thotë 60-vjeçarja.

Sipas saj, shuma që merr nuk i del për ilaçe dhe as për të blerë ushqime, ndaj i ka mbetur vetëm të digjet me benzinë.

Mësohet se 60-vjeçarja ka lyer këmbët me benzinë dhe i ka vënë flakën pantallonave, por kanë qenë dy punonjës të policisë civilë, që ndodheshin aty, që kanë ndërhyrë dhe kanë shuar menjëherë zjarrin.

Uniformat blu kanë bërë të mundur parandalimin e tentativës për vetëdjegie nga ana e gruas, duke e neutralizuar dhe shoqëruar në polici.