Ish-rektori i Universitetit të Elbasanit, profesori Jani Dode ka humbur betejën me koronavirusin.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ndërsa shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut, shkruan në Facebook se do ta kujtojë gjithmonë si një person me profesionalizëm dhe integritet të lartë.
POSTIMI I PLOTË
Jam shumë e hidhëruar për ndarjen nga jeta të Profesorit dhe mikut tim të dashur, Jani Dode, për shkak të virusit të pabesë. Akademikun e nderuar dhe ish-rektorin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, do ta kujtoj gjithmonë si një person me profesionalizëm dhe integritet të lartë, i cili gëzonte vlerësimin dhe respektin e mbarë komunitetit të studentëve dhe botës akademike.
Me Profesor Janin kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunojmë dhe realizojmë së bashku shumë projekte dhe iniciativa të rëndësishme në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Elbasanit, si për rritjen e cilësisë ashtu edhe për fuqizimin e punës kërkimore shkencore.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, kolegët dhe të gjithë miqtë e tij!