Pak ditë më parë, 34-vjeçari nga Durrësi, Xhani Qela u shpall kampion në rang kombëtar për kategorinë “Man physique'”në bodybuilding.
Fitorja e këtij titulli të rëndësishëm është konkretizimi më i mirë i një angazhimi 12-vjeçar të Xhanit në këtë disiplinë.
Për kampionin më të ri të Shqipërisë, sakrificat kanë qenë të shumta përgjatë viteve, duke nisur nga heqja dorë nga shumë ushqime të preferuara, stërvitja rigoroze etj, rrëfen ai për “DurrësLajm”.
Dita e Xhanit nis që në orët e para të mëngjesit dhe mbyllet rreth mesnatës. Përkushtimi në palestër zë pjesën më të madhe të rutinës së tij.
“Dita ime fillon në orën 5 të mëngjesit, bëj pak kardio dhe ecje, konsumoj vaktin e parë, shoqëroj djalin në kopësht dhe më pas vi në palestër. Nis punën me klientët dhe angazhimi vazhdon zakonisht deri në 12 të natës”,– thotë Qela.
Të dielën, 34-vjeçari do të jetë pjesë e një kompeticioni mjaft të rëndësishëm ndërkombëtar, ku shpreson të rrëmbejë fitoren e radhës.
“Është një kompeticion në Maqedoninë e Veriut, “Diamant Cup” e organizuar nga IFBB Organizata Ndërkombëtare e Bodybuilding ku marrin pjesë atletë nga gjithë Ballkani dhe është mundësia që top pesë atletët më të mirë të marrin Top Kartën, që i licenson si atletë profesionistë në të gjithë botën.”
Pas vitesh të tëra jete të shëndetshme dhe një disipline të hekurt, Xhani ka një apel për të rinjtë.
“Palestra është një ore dy orë maksimumi. Të thuash që nuk kam kohë është një “gënjeshtër”. Palestra është e shëndetshme, do ndiheni mirë me veten, do jemi më të paraqitshëm, më të qetë dhe benefitet i kuptoni gjatë rrugëtimit”,- thotë Xhani.
M.B.