Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Tina Pajollarin, 18-vjeçaren e cila akuzohet si e përfshirë në vrasjen e Martin Çeços në Kolanec të Maliqit.

Pajollari është dërguar në bankën e të akuzuarit në sallën e gjyqit e shoqëruar nga disa efektivë të policisë.

Hetuesit besojnë se Martina Pajollari, e cila u arrestua më 14 tetor ishte e pranishme në momentin kur Martin Çeço u ekzekutua nga Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo.

Po ashtu, policia dyshon që ajo të ketë qenë e pranishme edhe në momentin kur është thurur plani dhe mund ta ketë nxjerrë në pritë Çeçon pranë rezervuarit të Kolanecit, aty ku edhe u inskenua si një vetëvrasje.

Pas arrestimit të 18-vjeçares, babai i viktimës tha se djali i tij e kishte kërkuar për nuse Tina Pajollarin dhe për këtë arsye kishte paguar 2.5 milionë lekë të vjetra tek ish-kunati i saj, Xhoni Potka.

Ceco Pajollari 770x385