Ish-deputetja Fatbardha Kadiu e partisë Demokratike në Durrës i është drejtuar me një letër të hapur kryetares së Bashkisë, Emirjana Sako, duke shprehur shqetësimin për fenomenin e qarkullimit të turistëve nëshëtitore, markete, lokale dhe hapësira të tjera publike të qytetit të veshur vetëm me rroba plazhi apo bikini.

“Letër e hapur drejtuar Kryetares së Bashkisë Durrës Znj. Emirjana Sako

E nderuar Znj. Kryetare

Po ju drejtohem si qytetare e shqetësuar për një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm gjatë sezonit turistik. Qarkullimi i banorëve të rinj në qytet apo turistëve në rrugë, shëtitore, markete, lokale dhe hapësira të tjera publike të qytetit vetëm me rroba plazhi apo bikini.
Qyteti ynë është mikpritës dhe turizmi është padyshim një pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe jetës sonë publike. Megjithatë, duhet të ekzistojë një dallim i qartë midis hapësirave të plazhit dhe hapësirave urbane ku jetojnë familje, fëmijë, të moshuar, punonjës dhe qytetarë që meritojnë një mjedis publik të rregullt dhe dinjitoz.
Ky shqetësim nuk lidhet me paragjykimin ndaj askujt dhe as me kufizimin e lirisë personale. Ai lidhet me ruajtjen e kulturës qytetare, rendit publik, mirëqenies së banorëve dhe veçanërisht me ndikimin që modele të tilla sjelljeje mund të kenë te fëmijët. Hapësira publike edukon po aq sa familja dhe shkolla; ndaj është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë kufijtë e duhur mes sjelljes në plazh dhe sjelljes në qytet.
Për këtë arsye, i kërkoj Bashkisë të marrë masa parandaluese dhe ndërgjegjësuese, si:

  1. Vendosjen e tabelave informuese pranë plazheve, shëtitoreve dhe zonave turistike.
  2. Fushata ndërgjegjësimi për turizëm të përgjegjshëm dhe respekt ndaj komunitetit vendas.
  3. Hartimin e rregullave të qarta për veshjen e përshtatshme në hapësirat publike jashtë plazhit, pa diskriminim dhe me respekt për të gjithë dhe efektet e mos zbatimit te tyre.

Një qytet turistik nuk duhet të humbasë identitetin dhe dinjitetin e tij. Turizmi, liria personale dhe respekti ndaj qytetarëve mund të bashkëjetojnë vetëm kur hapësira publike menaxhohet me kulturë, përgjegjësi dhe kujdes.”, shkruan ish-deputetja në rrjetet sociale.