Flukset turistike që mbërrijnë në qytetin 3000-vjeçar në këto ditë të nxehta korriku sjellin me vete edhe fenomene jo shumë të pëlqyeshme, tē cilat janë shumë të pranueshme përgjatë vijës bregdetare, por jo në zemër të zonës historike.
Fotoja që po publikojmë është shkrepur pasditen e sotme, ku një turiste ka zgjedhur të ecë në rrugët e qytetit me rroba… banjoje!
Në këto ditë të nxehta kanë nisur të shtohen rastet kur turistët i sheh të lëvizin nëpër qytet vetëm me rroba banjo, madje dhe në zona larg plazheve.
A mendoni se ka ardhur koha që autoritetet të mendojnë të hartojnë rregullore për sjelljet e turistëve para se fenomene të tilla të kthehen në normalitet?!
As turizmi elitar nuk zhvillohet dhe as integrimi në BE nuk përshpejtohet nëse do kemi turistë që vizitojnë amfiteatrin apo qytetin me tanga, ose mbase edhe pa… mbathje!!!
Shembulli nga Ulqini
Një shembull që mund të aplikohet edhe në Durrës, na vjen nga fqinjët tanë në Mal të Zi, më konkretisht nga qyteti i Ulqinit, që ka miratuar majin e këtij viti rregulla të forta për sjelljet e papërshtatshme të turistëve të huaj.
Pushimet në Ulqin këtë verë mund t’ju kushtojnë shumë më shtrenjtë nga sa e kishit menduar nëse dilni nga plazhi me bikini apo pa bluzë. Autoritetet malazeze kanë vendosur rregulla të reja strikte për turistët dhe qytetarët që lëvizin me rroba banje në hapësirat publike të qytetit.
Kuvendi i Ulqinit ka miratuar një rregullore të re që ndalon ecjen pjesërisht të zhveshur apo me rroba banje në rrugë, sheshe, shëtitore, zona për këmbësorë dhe parqe. Rregulli nuk zbatohet në hapësirat e dedikuara për plazh, por hyn në fuqi sapo pushuesit largohen nga bregdeti.
Kjo do të thotë se turistët që dalin nga plazhi duhet të vishen para se të hyjnë në qytet, përndryshe rrezikojnë gjoba të majme. Personat fizikë që shkelin këtë rregullore do të gjobiten nga 350 deri në 500 euro.
M.B.





