Nuk ka fitues në krye-ndeshjen e javës së 7 të Kategorisë Superiore, përballjen mes Partizanit e Teutës, që u mbyll në barazim pa gola dhe dy skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë.

Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, terreni në gjendje të shkëlqyer i stadiumit “Elbasan Arena” krijoi kushte optimale për të zhvilluar një 90-minutësh mjaft të mirë, ku nuk munguan rastet për të dy skuadrat.

Partizanit arriti të godasë traversën pas një rasti me Solomon, që u lirua mirë brenda zonës, por nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa Teuta fitoi edhe një 11-metrsh, por Alban Hoxha reagoi mirë në gjuajtjen e Emiliano Vilës dhe mbajti portën të paprekur.

Ky ishte barazimi i 6 në 7 ndeshje për Teutën, që mbetet në kuotën e 9 pikëve dhe plot 7 pikë më pak se Vllaznia kryesuese, ndërsa Partizani ka zbritur në vendin e tretë me 12 pikë dhe javën e ardhshme do të përballet pikërisht me shkodranët në “Loro Boriçi”.