Nga Gertjana Daçi
“Floku është gjysma e bukurisë”, dhe kujdesi ndaj tyre duhet të jetë maksimal çdo ditë të jetës në mënyrë që të jenë sa më të shëndetshëm. Mirëpo ndikimi i faktorëve të ndryshëm bën që flokët të mos jenë në gjendjen e duhur në çdo kohë dhe ato të bien.
Por a duhet të shqetësohemi ne kur kjo gjë ndodh?
Polina Laro, e specializuar në fushën e dermoestetikës thotë në një intervistë për “DurrësLajm” se rënia e flokëve është një proces normal që ndodh çdo ditë te çdo njeri. Sipas saj, konsulta me specialistin duhet atëherë kur kjo gjë vijon të jetë më e shprehur se e zakonshmja.
“Rënia e flokeve është një proces normal që ndodh çdo ditë te çdo njeri, jo vetëm gjatë stinës së verës por gjatë gjithë vitit. Si çdo proces tjetër në organizëm edhe rritja e flokëve varet nga një mekanizëm zinxhir, prandaj kur pacienti vë re një rënie flokësh me të shprehur se normalja duhet të konsultohet me një specialist. Nëse këto mekanizma të organizmit çekuilibrohen atëherë kur flokët fillojnë të bien me shumë se e zakonshmja dhe mund të mos dalin të reja.”, shprehet Laro.
Rënia e flokëve aktualisht është një nga problemet më të zakonshme. Krahas shkaqeve si gjenetika, sëmundje të ndryshme apo dietave drastike, ky problem është evidentuar edhe te pacientët e infektuar me Covid-19, për shkak të stresit që ata përjetojnë gjatë rikuperimit nga virusi i rëndë.
Kush janë shkaqet që ndikojnë në rënien e flokëve te meshkujt dhe femrat?
“Ka shumë faktorë që ndikojnë në prishjen e këtij mekanizmi zinxhir:
1. Gjenetika ose e quajtur ndryshe Alopecia Androgjenetike është shkaku më i zakonshëm i rënies së flokëve që prek si meshkujt ashtu dhe femrat. Kur meshkujt kanë humbje të trashëgueshme të flokëve, kjo dukuri nis me nje vijë të dukshme kryesisht në pjesën e përparme të flokëve ose mungesë e theksuar e flokëve në formë hapësirash të rrumbullakta. Femrat nga ana tjeter nuk shfaqin shenja të tilla (të paktën jo në të njëjtën shpejtësi si meshkujt). Fillimisht vihet re hollimi i fijes së flokut, më pas rrallim i flokëve në zonat e përparme të skalpit dhe më rrallë mund të shfaqen rënie të dukshme në pjesën e sipërme të skalpit.
2. Sëmundjet shëndetësore. Humbja e flokëve mund të jetë shenja e parë e një sëmundjeje. Rreth 30 lloje sëmundjesh, përfshirë atë të anemisë apo crregullimet hormonale (veçanërisht problemet me gjendrat Tiroide) ndikojnë në rënien e flokëve. Duke trajtuar sëmundjen humbja e flokëve shpesh mund të ndalet, prandaj konsultimi me mjekun dhe diagnostikimi në klinika mjekësore dhe jo estetike është shumë i rëndësishëm. Periudha post-partum sidomos nëse nëna është në laktacion, menopauza, një ndërhyrje kirurgjikale, ethe të larta apo infeksione të rënda shkaktojnë gjithashtu humbje të flokëve. Sëmundje të lëkurës si ekzema apo psoriasis ndikojnë në rënien e flokëve pasi shkaktojnë irritime në lëkurë. Këto lloj sëmundjesh janë të rikthyeshme dhe nuk ka një kurë të përhershme por me konsutimin e mjekut dermatolog mund të përdoren kremra të cilët mbajnë nën kontroll lëkurën e skalpit dhe kështu nuk ndikohet rritja e flokëve. Pra, gjithmonë konsulta me mjekun ose farmacistin tuaj për të bërë një anamnezë për të gjetur shkakun është shumë e rëndësishme pasi vetëm kështu mund të gjeni dhe trajtimin e duhur. Nëse rënia e flokut shoqërohet me një sëmundje bazë është shumë e rëndësishme të trajtohet fillimisht sëmundja dhe më pas rënia e flokut.
3. Një shkak tjetër është Alopecia Areata, konsiderohet një sëmundje autoimune e cila nis papritur (mund të lidhet me gjendrën e Tiroides) por shpesh herë shkaku edhe nuk gjendet dhe rrjedhimisht edhe trajtimi është më i vështirë.
4. Dietat drastike apo dietat hipoproteinike janë gjithashtu një shkak i humbjes së flokëve. Kur trupi nuk merr proteina mjaftueshëm fillon të racinojë proteinën që merr. Rreth 2 deri në 3 muaj pasi individi nuk merr proteina të mjaftueshme, vihet re rënie flokësh. Mishi, vezët dhe peshqit janë burim i mirë i proteinave. Vegjetarianet mund të marrin më shumë proteina duke shtuar në dietën e tyre arrat, fara dhe fasule. Anoreksia dhe bulimia gjithashtu shkakton rënien e flokëve masive.
5. Përdorimi i medikamenteve për trajtimin e rasteve të ndryshme shendetësore si përshembull holluesit e gjakut, Vitamina A në dozë të lartë, medikamente që trajtojnë depresionin, pilulat kontraceptive te disa femra mund të sjellin rënie të flokut, pacientë të cilët trajtohen me kimioterapi etj..
6. Steroidet për të ndërtuar muskujt dhe për të përmirësuar performancën atletike mund të shkaktojnë gjithashtu humbje të flokëve.
7. Kujdesi jo i duhur i flokut duke mos përdorur produktet e duhura apo aplikimi i trajtimeve të ndryshme për arsye estetike.
8. Stresi, përjetimi i një ngjarjeje traumatike, stresi i situatave të ndryshme të jetës së përditshme është një shkak i fortë i rënies së flokëve. Gjatë kësaj periudhe pandemie rënia e flokut është një situatë që ne hasim çdo ditë. Ekspertët e Akademisë Amerikane të Dermatologjisë thonë se ajo çfarë ndodh gjithashtu te pacientet me Covid-19 është dhe Telogen Effluvium dhe është një formë e përkohshme e shkaktuar nga një stres fizik ose emocional. Për momentin specialistët e kanë të vështirë të përcaktojnë pse disa pacientë të cilët shërohen nga Covid-19 kanë rënie flokësh më vonë, ndërsa disa të tjerë jo, por mendohet se kjo dukuri ndodh për shkak të stresit dhe nuk është një simptomë lidhur drejtpërdrejtë me Covid-19.”
Të mirëmbash flokët dhe jo vetëm në ditët e sotme është shumë më e lehtë se dikur. Kjo edhe falë trajtimeve të shumta, që ofrohen nga ekspertë të fushës përmes aparaturave bashkëkohore. Më poshtë, Laro liston disa prej trajtimeve që ofrohen në klinikën Panacea, të cilat kanë rezultuar shumë të suksesshme.
“Në klinikën tonë i gjithë stafi ynë është mjekësor dhe rënia e flokut trajtohet në disa mënyra të ndryshme. Kombinimi i këtyre trajtimeve në një seancë ka rezultuar shumë i suksesshëm.
-Trajtimi me mesoterapi i cili konsiston në injektimin e multivitaminave dhe aminoacideve është një nga sukseset tona. Disa nga ingredientet më të përdorur janë:
Biotina – Përmirëson shëndetin e flokut, parandalon tharjen e tij, rrit elasticitetin dhe ndihmon në përforcimin e flokut duke mos lejuar këputjen.
Panthenol – Efekt mbrojtës kundër dëmtimit oksidativ dhe ekspozimit nga rrezet ultraviolet.
Glukonat Hekuri – Transporton oksigjenin në folikulin e flokut në mënyrë që ta ushqejë mjaftueshëm dhe në këtë mënyrë ndalon rënien.
Taurinë – Ndikim i menjëhershëm në fijet e kolagjenit duke mbrojtur kështu boshtin e flokut.
Sabal Serrulata – Parandalon alopecinë androgjenetike nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm, bllokon enzimën 5-alfa-reductase e cila është përgjegjëse në konvertimin e testosteronit në dihidrotestosteron i cili ndikon në rënien e flokut.
Troxerutinë – Efekt i fuqishëm antioksidant.
-Injektimi i PRP (Platelet Rich Plasma) e cila vë në përdorim gjakun e marrë nga vetë personi, përkatësisht një komponent të gjakut të quajtur plasëm e pasuruar me trombocite të cilat nxisin faktorët rritës dhe ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së flokut dhe nxisin daljen e flokëve të rinj. Pra vete trupi shëron vetveten. Avantazhet e këtij trajtimi janë siguria e plotë pasi produkti i përdorur është i përfituar nga vetë organizmi dhe nuk ka efekte anësore, diskomforti është minimal, efikasitet i plotë dhe nuk kërkon kohë rekuperimi.
Risia në klinikën “Panacea” është se të gjitha këto vitamina mund të “injektohen” në skalp nëpërmjet aparaturës së vetme të certifikuar në treg; Mesoject Gun nga kompania “Toskani Cosmetics”. Kjo aparaturë penetron produktin në dermë nëpërmjet elektrostimulimit dhe mirocipeve sterile, pa dhimbje, pa irritim dhe pa injeksione. Efekti është i dukshëm që në aplikimet e para dhe nuk ka asnjë efekt anësor.
Një nga preparatet medikamentoze që përdoret gjithashtu për alopecinë në klinikën tonë është injektimi i Minoxidilit nga mjekja jonë dermatologe. Ky preparat në shumicën e kohës përdoret në trajtën e solucionit, pra përdorim topikal por tashme në klinikën tone ky produkt përdoret dhe në formën e injektueshme. Ky produkt mund të injektohet dhe në pjese të tjera të trupit, si mjekrra dhe rezultatet janë shumë të mira.
Gjithashtu ne disponojmë dhe produkte për përdorim personal të cilat pacienti i aplikon çdo ditë në shtëpi. Sipas një protokolli të mirëcaktuar nga specialistët tanë dhe ndjekja me rigorozitet i këtij protokolli ka rezultuar gjithmonë i suksesshëm dhe me efektivitet të lartë.”, përfundon ajo.
*Polina Laro; Farmaciste, specialiste në fushën e Dermoestetikës në klinikën Panacea. Trajnere e linjës “Toskani Cosmetics” për Shqipërinë dhe Kosovën. E trajnuar vazhdimisht prej dy vitesh e gjysmë nga mjekë të huaj.