Blerim Kotobelli shënoi një gol shumë të bukur ndaj Egnatias, duke i hapur rrugën Teutës në një fitore shumë të rëndësishme. Mbrojtësi u shpreh se atë gol e kishin provuar edhe në stërvitje, por nuk i kishte dalë ashtu siç duhej. Kotobelli ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të mungojë të premten ndaj të kuqve.
Sa vlera ka kjo fitore ndaj Egnatias, që vjen pas shtatë ndeshjesh?
Duhej të djersinim shumë për të fituar, sepse kishim përballë një ekip të fortë. Në ndeshjet e tjera duhet të jemi më të motivuar. Kjo fitore na jep moral, do të shkojmë më të qetë në ndeshjen me Partizanin, ku do të kërkojmë të marrim maksimumin.
Një “sallaks”, që shënon një supergol më të djathtën. Si ndodhi?
(Qesh) Të them të drejtën mendova që isha më afër, por tani që po e shikoj paskam qenë shumë larg. E kam provuar disa herë në stërvitje dhe nuk më kishte dalë shumë mirë. Por në atë moment nuk u mendova dy herë dhe fal Zotit shënova dhe hapa rrugën e fitores.
Kujt ja kushtuat golin?
Vajzës sime, e cila atë ditë kishte ditëlindjen. Ishte dhurata më e bukur që i bëra.
Si ndiheni tani që po luani në rolin tuaj?
E kam nisur shumë mirë këtë vit. Kam dëshirë të vazhdoj kështu dhe besoj se nga ndeshja në ndeshje do ta rris performancën time. Nuk ka shumë rëndësi roli. E rëndësishme është të ndihmoj skuadrën.
Sa i druheni kundërshtarit të radhës?
Ky kampionat ka treguar që çdo ekipi duhet t’i druhesh, pasi është tregues i qartë që çdo ekip merr pikë dhe është shumë i vështirë si kampionat. Partizani ka lojtarë shumë të mirë dhe ndodhet në vendin e parë. Është një ekip plot cilësi, duhet të tregojmë kujdes.
Ju vjen keq që nuk do të mund të luani në këtë ndeshje?
Të them të drejtën po, por që fatkeqësisht u ndëshkova më kartonin e katërt të verdhë ndaj Egnatias. Kam besim të shokët që do të japin më të mirën.