Duke filluar nga data 1 nëntor në kalendarin kombëtar të vaksinimit do të përfshihet kryerja e vaksinës HPV.
Lajmi është dhënë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një aktiviteti të organizuar në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit kundër kancerit të gjirit.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se kjo vaksinë është një mundësi që vajzat dhe gratë të vaksinohen dhe të mbrohen nga kanceri i qafës së mitrës.
“Unë jam e gëzuar të them se duke filluar nga data 1 nëntor, ne në Shqipëri, për të parën herë përfshijmë në kalendarin tonë të vaksinimit vaksinën kundër humanpapillomavirusit. Kemi punuar gjatë për të arritur këtu dhe fakti që një vaksinë kaq efektive është dhe ne tashmë kemi mundësi që vajzat tona ti vaksinojmë dhe të garantojmë që deri në 100%, që nuk do t’i prekë kanceri i qafës së mitrës, është një fitore, fitore padyshim e shkencës, por është një fitore e cila ne sjellim në këtë betejë të përditshme kundër sëmundjes dhe pikërisht kundër tumorit të qafës së mitrës”, tha Manastirliu.
Duke folur për listën e barnave të rimbursueshme, Manastirliu bëri me dije se buxheti i vitit 2023 do të ketë një rritje për sa u përket barnave falas për sëmundjet kronike dhe ato tumoriale.
“Ne kemi një fond të rimbursimit të barnave i cili planifikohet që edhe për vitin 2023 të rritet duke shkuar në vlerën 11.4 miliard lekë ose 114 milionë euro për trajtimin e sëmundjeve kronike, duke filluar nga tumoret, tek sëmundjet kardiovaskulare, tek diabeti, tek hipertensioni, tek sëmundjet neurodegjenerative dhe të gjitha si paketë e plotë. Janë më shumë se 410 mijë qytetarë të cilët trajtohen nëpërmjet terapive të mjekimit për sëmundjet kronike nëpërmjet kësaj skeme. Dhe për vitin që vjen rritet mbulimi pikërisht për të synuar jo vetëm aksesin në terapi mjekimi por edhe për të përfshirë terapi inovatore në trajtimin e sëmundjeve kronike, sëmundjeve jo të transmetueshme”, tha Manastirliu.