Një ndër personazhet që nuk kanë zgjedhur të heshtin është aktorja e njohur, Angelina Jolie, e cila ka ngritur gjithmonë zërin kundër dhunës tek gratë.
Së fundmi, gjatë një interviste për “Harper Bazar”, Angelina Jolie dha këshilla për femrat që frikësohen se do të përballen me abuzime gjatë periudhës së festave: “Bisedoni me dikë, mundohuni të gjeni njerëz që ju mbështesin dhe mbani kontakte me ta në raste urgjente. Mund të bini dakord për të përdorur një kod me një mik apo anëtar të familjes, që tregon se po dhunoheni. Sado që është e trishtueshme të thuash, nuk mund të mendosh se të gjithë miqtë dhe familja gjithmonë do të besojnë dhe të mbështesin. Shpesh janë njerëz të huaj ata që ju ndihmojnë. Ose viktima të tjera, grupe mbështetëse. Mbi të gjitha jini të kujdesshme, vetëm ju me të vërtetë e dini rrezikun me të cilin përballeni dhe derisa të gjeni mbështetjen tuaj, mund të ndiheni mjaft vetëm.”
Ndërsa teksa u pyet se përse i mbron të drejtat e grave, ajo u përgjigj: “Unë i vlerësoj gratë. Nuk mund të duroj të shoh vuajtjet me të cilat përballen kaq shumë gra dhe sa pak përgjegjësi ka. Shoh të njëjtat modele të përsëritura në të gjithë botën. Gratë janë të prekshme sepse shoqëritë nuk janë të barabarta. Dhuna në familje ose me bazë gjinore nuk merret mjaftueshëm seriozisht askund dhe shpesh kemi anashkaluar traumën dhe dëmtimin e që kanë pësuar fëmijët që dëshmojnë ose përjetojnë dhunë, në shtëpitë e tyre”.





