Edhe këtë herë përballja mes bardhebluve dhe bregdetarëve rezultoi një betejë e vërtetë, një sfidë për infarkt deri në frymën e fundit.Tirana triumfoi me rezultatin 72-69, ndeshje e vendosur nga koshi deciziv për tri pikë i Mired Janit në sekondën e fundit të ndeshjes, duke kaluar në delir bardheblutë.
Skuadra e Erkand Karajit e nisi mirë lojën, duke e fituar periodën e parë 19-13, ndërsa çereku i dytë u mbyll në baraspeshë 15-15, me ekipet që shkuan në pushim me rezultatin e përgjithshëm 34-28 për vendësit.
Perioda e tretë foli për kampionët në fuqi, të cilët fituan 13-22, duke përmbysur në 47-50 pas 30 minutash lojë. Por në 10- minutëshin final Tirana nxori në pah karakterin e zakonshëm, ndërsa me një gjuajtje për 3 pikë në limite, Jani hodhi KO Teutën, duke u dhënë suksesin bardhebluve.
Amerikani i ardhur së fundmi, Jakobi Bonner, me 17 pikë ishte shënuesi më i mirë për Tiranën, ndërsa shkëlqeu edhe i zakonshmi Endrit Hysenagolli, autor i 12 pikëve dhe 11 ribaundeve. Për Teutën spikati Kristi Gorea me 17 pikë e 10 ribaunde.