Moderatorja Blerta Tafaj ndan të njëjtën eksperiencë me Katerina Trungun, drejtuesen e programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Tafaj, ashtu si kolegia e saj, rrëfen se vuan nga ankthi, i cili nuk ishte aq i lehtë për t’u diagnostikuar. Ajo tregon në program rrugëtimin e saj dhe bashkëjetesën me ankthin.

Blerta Tafaj: Kam marrë qetësues, kam bërë të gjitha kontrollet, kryesisht te doktori i zemrës se duke qenë se kisha një atak paniku mendova që kisha probleme me zemrën. Kontrolle shumë të shpeshta derisa doktori më tha “një ditë do mbetesh në ndërgjegjen time nëse do kesh diçka nga zemra” se fillova ta shqetësoja dhe atë dhe u binda që unë kam ankth. Më vjen shumë keq që isha vonë për të shkuar dhe për t’u konsultuar me një psikologe, të dyja ramë dakord që unë nuk do ia dilja dot vetëm me një psikologe dhe ajo më sugjeroi doktoreshë Arjanën, jo vetëm ajo në fakt, shumë miq dhe unë u binda që doktoresha ishte më e mira e mundshme dhe ashtu ndodhi. I them gjithmonë që ti je shpëtimi im.

Moderatorja e konsideron veten me fat që periudha e Covid-it nuk rezultoi në shtimin e ankthit të saj dhe falë konsultave me specialistet, e pati më të lehtë për ta kaluar. Ajo tregon edhe simptomat që përjetonte dikur, por edhe tani në rastin kur ndien se do të kalojë një atak.

Blerta Tafaj: Unë kisha atak paniku klasik, rrahjet e zemrës, marrjen e frymës, dhimbjen e gjoksit, një bllokim total dhe mendova që aty është fundi për mua dhe sa herë kisha atak paniku, kisha të njëjtën ndjesi. Tani kam një lloj përjetimi tjetër, më duket sikur do të humbas vetëdijen, doktoresha më ka siguruar që nuk ndodh, mundohem ta kontrolloj dhe nuk kam arritur më që të kem. Tani, kur e ndiej që kam një alert në trup, që kam ndonjë nga këto simptomat, mundohem të shpërqendrohem dhe për momentin, arrij ta bëj këtë gjë.

Blerta tregon se deri në momentin që shkonte në spital, e shihte atë si shpëtim, por gjatë rrugës mendonte të linte amanetet e saj të fundit.

Blerta Tafaj: Jam një person që kam shumë merak, kam një vajzë që është duke u rritur dhe e ndiej që ankthi im po rrotullohet aty herë pas here dhe them t’i lë ca porosi gjithsesi, t’i kenë për vajzën.