Sado të shkruash për të, aq pak ke thënë”
-Etalon i mirësisë, urtësisë, kulturës dhe moralit
-Familje me status ndërkombëtar, por pa humbur identitetin
-Dashuria për qytetin, për çdo rrugë e rrugicë e palëkundur
-Jeta e pëqëndruar në aksin Durrës -Breshia dhe Otavës
-Vazhdues i edukatës së Galip Korës dhe bashkëkzistencës fetare
-Takimet dhe bisedat me të ngjajnë me realitete ëndërruese

Nga BUJAR QESJA
Më 20 qershor 1936, 86 vite të shkuara familjes së bashkëshortëve të urtë dhe punëtorë Galip Kora dhe Hava Gruda, u lindi një djalë i bukur, që shkëlqente si një xixëllonjë në mesnatë. E quajtën Ferid Kora. Galip Kora ky tregtues zemërmadh dhe gruaja e tij Havaja e ëmbël nga fisi i njohur i Grudave, nuk jetojnë. Por i dhanë qytetarisë durrsake një yll, një vlerë, një gati gati etalon të mirësisëë, urtësisë, kulturës dhe moralit.
Kjo sigurisht është përshtypja ime. Por kur nisa të testojë këtë opinion, isha i pamjaftueshëm me atë çka shprehnin të tjerët. E dija, që piktori dhe zanatçiu i njohur Besnik Biduli, ka punuar në Uzinën Mekanike Bujqësore. I thashë, pa ia shpjeguar arsyjen pse po e pyetja.
-Si të duket Ferid Kora?
Sikur të ma kishte lexuar qëllimin, pa u menduar ma kthen:
-Sado të shkruash për të, aq pak ke thënë!
Teksa komunikoja me shkencëtarin e ekonomisë, 86 vjeçarin Esat Ypi nga Trevizo ku jeton, iu luta të më përcaktonte Ferid Korën.
Dhe nuk po shtoj asgjë nga ajo që më shkruajti:
-Feridin e kam patur në gjimnaz. Ishte një kat sipër klasës tonë, e njëherësh dhe në lagje afër hekurudhës së vjetër tek shtëpia e Cen Fanit. Feridi është njeri i shkëlqyer, një senator i vërtetë i qytetarisë durrsake.
E kam hasur në angazhime qytetare, në takime, biseda, në shëtitje me miq. Jemi ndalur dhe kemi shkëmbyer mendime, duke prekur interesimin e përbashkët për Durrësin dhe durrsakët. I saktë në mendim. I informuar për çka ndodh. Me qendrim kritik kur është rasti, por me dashuri të pakonkurueshme për qytetin e lindjes.
Pas viteve 90-te takimet me Ferid Korrën nuk janë të shpeshta, madje të rralla. Por edhe kur na bie rasti, respekti me të cilin të ofrohet, e sfumon atë boshllëk kohor që sje parë me të. Nuk i kam njohur Galip dhe Hava Korën, por i kam lënë bekimin për këtë djalë zotni që kanë krijuar në këtë tokë, me prezantim mahnitës dhe me elekuencë në të foluar, ku minutat e konsumuara me të i dëshiron të përsëriten pafundësisht.
Në vitet 50-të, ndjehej mungesa e kuadrove. Shqipërisë i mungonte arsimi i lartë. Ferid Korra, ashtu siç ndodhi me shumë durrsakë si Haki Bllaca, Piro Qerimi, Jetgjat Toda etj. iu nënshtrua studimeve të larta në Bullgari, për inxhinjeri mekanike. Atje u njoh me bullgaren simpatike Donka dhe familja e tyre pas kësaj u ndërtua mbi bazën e dy shtyllave të forta.
Në 58-tën kthehet në Durrës dhe vendoset të punojë si drejtues i bazës mekanike në NB Sukth, nga ekonomitë më të fuqishme bujqësore të vendit. Këtu konsumoi 300 muaj. Përfytyroni një ekonomi bujqësore me shtrirje nga Hamallaj, Rrushkulli, Kulla në kufi me Manzën, e tërhiqu më këndej me Xhafzotajn, serrat e Rrethit, sektorin Qendër, Perimore etj. Baza mekanike ishte vendimtare, për të mbështetur zhvillimin e kësaj ekonomie konkuruese dhe eksportuese prodhimesh.
Duke ruajtur profilin e njohur, transferohet në Uzinën Mekanike Bujqësore, palcë e punëtorisë së fuqishme të këtij sektori. Zëvëndëson drejtorin Pavllo Roko dhe ia lëshon këtë post Napolon Shtyllës. Kryen të gjitha detyrat: të kryeinxhinjerit, inxhinjerit të reparteve, drejtuesit të sektorëve të ndryshëm më këtë uzinë. Punë shumë. Ngarkesa të mëdha. Por Ferid Kora në çdo rast, në çdo kohë, në çdo minutë, orë, ditë, javë e muaj të vitit mbeti Ferid Kora. Fytyra e tij tërheqëse, nuk kuptohej pa buzëqeshjen e natyrshme, me sytë që ngjasonin me dy diej të vegjël, që shpërndanin ngrohtësi njerëzore.
Punëtorët lenin kokën për Feridin. E donin shumë. Komunikimi me to ishte i veçantë. Komunikimi me të, ishte si dhuratë e rënë nga qielli. Mërzitjen nuk e njeh. Shpresën dhe optimizmin po. Në kolektiva të mëdha si NB Sukthi me mijra e mijra punëtorë, si Uzina Mekanike Bujqësore me afro 100 inxhinjerë e personel teknik, të mos shprehet me tone kritike qofte edhe një frymë, kjo tregon se Ferid Kora është përfaqësuesi ekselencë i qytetarisë durrsake. Është senator i përjetshëm i saj. I njëjti vlerësim edhe kur drejtoi për pak kohë edhe Uzinën Rajonale në Shkozet.
Me Donkën, bullgaren e akomoduar përsosmërisht me mjedisin shqiptar, zgjeruan familjen me dy djem: Galinin dhe Fatmirin. Galini në rrënjë të emrit të tij mbetet gjyshi Galip, një djalë bukurosh edhe ky. Punoi si agronom në NB Spitallë. I them me humor Feridit:
-Bujqësinë e pushtuan Korat. Ti në NB Sukth, e Galini në NB Spitallë. Dy NB-të më të mëdha të Durrësit.
Edhe Gali me shumë sukses në NB Spitallë. I qeshur, por edhe serioziteti i shkon. Agronom niveli. E tani ky Galin, me bashkëshorten e tij Çezarinën, jetojnë prej shumë vitesh në Otava të Kanadasë. Punojnë edhe atje shumë. Dhe përgjegjësia për të qenë shqiptarë të ndershëm e punëtorë, është më shumë se e madhe. E djali tjetër i Feridit Fatmiri, punon dhe jeton në Breshia të Italisë. Ky është shkaku që Feridi ynë ndodhet në linjën Durrës-Breshia- Otava Ontorio. Por Durrësi për Feridin është streha ku ndjen ngrohtësi në dimër dhe freski në verë. Këtu ka miqtë dhe shokët, të cilët i respekton duke iu ulur në gjunjë.
Pa dashur të kufizojë cilësitë e duhura të askujt, Ferid Kora është një prerje e veçantë. Të takohesh dhe bisedosh me të është fat. Ndjehet mirë kur kujton shokët. Për të gjallët përgjërohet. Për ato që nuk jetojnë qan, drithërohet. Në miqësitë e tij, qendrojnë mjaft emra që janë marrë me krijimtari. Dhe ai i lexon dhe rilexon me afsh të madh mendimet e tyre të botuara.
-Po vështroj çfar më kanë dhuruar, e çfar kam lexuar. Çfar përditë jam duke vështruar librat, krijimtarinë e shokëve, të miqve, me të cilët në ditët e jetës që në fëmijëri e tani në këtë moshë të thyer, kam qenë takuar, shoqëruar, bashkëstudiuar, bashkëpunuar… E disa që përgjithmonë janë larguar, më shtojnë pikëllimin.
Dhe këtu përfshihen shokët e fëmijërisë dhe të shkollës Danish Bebeziqi, Faik Kuqi, Matish Gjeluci, Xhod Beja, shoku i punës në NB Sukth Feim Salillari, shokët dhe shoqet në UMB Zamira Kamberaj, Fatmir Minguli, Vaso Papaj, Mërgim Korça, të Ofiçinës Mekanike Rifat Plaku dhe Aqif Dino, shokët e shoqet e lagjeve Hava e Sali Hidri, Ruzhdi Cara, Mustafa Troplini, Fatos Tartari etj. Krijimtarinë e tyre, e ka vendosur dukshëm në bibliotekën e pasur dhe i lexon me dashurinë dhe respektin më të madh dhe i duket se njëkohësisht bisedon me to.
Pse është i barabartë me të gjithë Ferid Kora? Pse nuk i diferencon njerëzit? Krahas kulturës së gjërë, a ndikon edhe besimi në Zot? Ja se si shprehet diku Feridi:
… më erdhi përfytyrimi një ditë. Im atë po më mbante për dore dhe po ecnim. Isha në klasën e dytë fillore dhe po shkonim për të uruar festën e Bajramit tek kushërinjtë tanë. Ato banonin pas Bashksië, në afërsi të fabrikës së cigareve. Në një moment baba ndaloi e më tha:
-Shiko atje! Pas kësaj ngriti dorën, duke e drejtuar nga trotuari në krahun e djathtë. I dallon ato të tre? Treta vështrimin nga më tha babai dhe pashë priftin katolik, priftin ortodoks dhe në mes tyre myftiu i mislimanëve. Mos e harro këtë pamje biri im! Ato gjithmonë dalin të tre bashkë dhe përshëndesin qytetarët. Veçanërisht kjo ndodh në ditët e para të Bajramit të muhamedanëve, e në ditët e para të Pashkëve ortodokse dhe katolike. Mbaje gjithmonë në mëndje këtë…
Dhe këto figura fetare të qytetit, ishin nga feja katolike Imzot Jul Bonati dhe më pas Viçens Prenushi, Myfti Mustafa Efendi Varoshi dhe Papa Erazëm Jorgo. Pikërisht në Durrës falë këtij mirkuptimi fetar, tek njerëzit u kultivua virtyti i artë i vëllazërimit shpirtëror fetar. Kjo shkëlqeu veçanërisht në Durrës.
I mësuar me këtë frymë, Ferid Kora i kujton me mall shokët e ngushtë të fëmijërisë Rifatin, Naunin, Ndocin e të tjerë që ishin dhe janë miqtë e tij. Dhe në rrugën 86 vjeçare, nuk e harron harmoninë shqiptare prej tyre të frymëzuar.
Se cili nga shokët apo miqtë, vite e vite të shkuara i ka dërguar Ferid Korës një vjershë, me pak vargje. Por ai e ruan si gjë shumë të çmuar. E zbuluam këtë poezi dhe ua bëjmë të njohur.
Kur dhuron një buzëqeshje, lumturohesh,
Ajo pasuron atë që e merr,
Pa varfëruar atë që e dhuron.
Zgjat vetëm një moment,
Por kujtimi i saj ngelet gjatë.
Ferid Kora inxhinjer mekanik, kuadër drejtues, intelektual i spikatur krijoi raporte impresionuese me njerëzit. Por Ferid Kora nuk i ndau këto cilësi nga të qenurit prind i përkushtuar, qytetar i ndjeshëm dhe aktiv i Durrësit të tij.
U takova me Feridin me 20 tetor 2022, ku vlerësoheshin disa figura qytetare në Durrës. Qendrova me të dhe nuk kuptova sa kohë kisha pa e takuar. Fjalë shtruar si gjithnjë, i interesuar për miqësinë si gjithnjë, i dashur dhe aktiv për të respektuar si gjithnjë. Ku mund ta dëgjosh nga të tjerë shprehjen:
-Ju faleminderit të gjithëve, që më pranuat të jem pjesë e shoqërisë tuaj!
Tonet e tij të komunikimit, janë përulëse në raportet e detyrimit dhe respektit. E don, e shijon dhe e ruan miqësinë. I detyrohet asaj dhe e trajton si privilegj jetësor. E godet dhe nuk e çfaq unin e tij, duke nxjerrë në pah dhe mbiçmuar aftësitë dhe vlerat e të tjerëve.
Ja se si e çfaq në një rast tjetër, bukurinë e mendimit që del nga zemra e tij e bardhë dhe e florinjtë, kur e uronin për 86 vjetorin e lindjes. E shpreh si kulmin e kënaqësisë që ndjen:
-Kur merrja miratimet e juaja, ngriheshin e lulëzonin lule. Këto lule zbukuronin rrugën e jetës time dhe shprehja për secilin dhe për secilën falenderime.
Ferid Kora! Bukuri jetësore dhe senator i përjetshëm i qytetarisë.
Kur dhuron një buzëqeshje, lumturohesh!
Ajo pasuron atë që e merr,
Pa varfëruar atë që e dhuron.
Deviza e jetës së një njeriu, që dhuron vetëm trëndafila të mbjella në bahçen e buzëqeshjes së tij. Dhe kjo buzëqeshje mbetet gjithnjë pranverë, në kostumin e mirësisë dhe të dashurisë që ka veshur tërë kohën inxhinjeri ynë. Kjo është simfonia më e përkryer e një jete, e interpretuar me artin e vërtetësisë dhe ndjenjave njerëzore nga Ferid Kora.
BUJAR QESJA
Durrës: 27 tetor 2022