Përtej 15 golave të shënuar në 3 sfidat e fundit në Bundesligë në “Allianz Arena”, rekordmenët nuk po e shijojnë plotësisht formën e mirë, pasi një problem ka dalë në dritë së fundmi, i cili faktikisht kishte kohë që endej pa u prezantuar publikisht.Fjala qëndron mbi situatën e Benjamin Pavar. Mbrojtësi francez i ardhur me bujë në Mynih gjatë merkatos së 2019-ës duket se i kanë përfunduar bateritë në këtë sezon, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe atë të nervave, ku largimi nga seanca e fundit stërvitore e dëshmon edhe njëherë pakënaqësitë e anësorit “transalpin”.Përpara mbylljes së merkatos së kësaj vere, emri i Pavarit lakmohej shumë mbi mundësitë e largimit, pas blerjes së Mazrauit, përveç konkurrencës me Lukas Hernandezin.

Në intervistën e para pak kohësh te “Kicker”, 26-vjeçari e pranoi se e mendonte zhvendosjen larg Mynihut, por diskutimi me Nagelsmanin e bindi të qëndronte me shpresën se 35-vjeçari i kishte premtuar rolin e titullarit.Goli ndaj Barcelonës ka pasur efekt tek ish-lojtari i Shtutgarti, aq sa për t’u shprehur me veprime konkrete. Fillimisht Benjamini u largua përpara kohe në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të duelit me Maincit.Historia ka përshkallëzuar në seancën përgatitore të së dielës me gjestin e lojtarit me numër “5”.Francezi është larguar përpara kohe, si shenjë mospëlqimi mbi bazë të asaj se çfarë ishte thënë në fillim të sezonit dhe asaj që po përjeton aktualisht. Shkaku i përçarjes në fjalë e ka emrin Mazraui.

Marokeni falë performancave të mira ka rrëmbyer vëmendjen e Julianit, e përkthyer me vendosjen si titullar në formacionin bazë. Situata bëhet akoma më e paqartë ku përveç reagimeve të tilla, kontrata e mbrojtësit skadon në 2024-ën dhe mundësitë mbi një rinovim të mundshëm janë venitur ndjeshëm. Çelësi insistoi në dritaren e transferimeve verore, por këmbëngulja e trajnerit ndikoi në refuzimin e Pavarit ndaj bluve të Londrës.