Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës një padi ndaj dy policëve, të cilët sipas tij e kanë dhunuar gjatë protestës për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Këlliçi tha se policët që kanë ushtruar dhunë janë identifikuar, ndërsa shtoi se seanca e sotme u shty për në muajin dhjetor për shkak se mungonte një prej të pandehurve.

Deputeti theksoi se do t’i shkonte deri në fund kësaj çështjeje, si dhe paralajmëroi se do të shohim çudira gjatë këtij procesi. Ndër të tjera, Këlliçi tha se e ka bërë këtë kallëzim për t’i dhënë një mesazh Policisë së Shtetit, se kjo e fundit nuk mund të sillet në mënyrë barbare ndaj qytetarëve.

“Sot dy vite e 6 muaj pas asaj mbrëmje paraqitem për shkak se janë gjetur policët që më kanë marrë me dhunë atë natë dhe do të shkojnë në gjyq. Ata policë që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi. Qytetarët janë të barabartë dhe nuk duhet të dhunohen.  Sot u shtyu seanca për në muajin dhjetor, për shkak se mungonte një nga të pandehurit. Jam i bindur se gjatë zhvillimit të këtij procesi do të njiheni me një surprizë dhe do të shikoni çudira gjatë këtij procesi.  Unë do ti shkoj deri në fund kësaj çështje, sepse nuk isha vetëm unë në qeli. Unë këtë kallëzim e kam bërë për ti dhënë një mesazh të qartë Policisë së Shtetit sepse policia nuk mund të kete këtë sjellje barbare ndaj qytetarëve të Tiranës”- u shpreh Këlliçi.