Një 37- vjeçar është arrestuar sot nga policia fedrale në Gjermani.
Sipas mediave gjermane, shqiptari është arrestuar në Hamburg teksa ishte duke kaluar në kryqëzimin Netteral me makinë tip “Mercedes c 200”.
Gjatë kontrolleve rutinë të policisë në këtë zonë, shqiptari ka paraqitur pasaportën e tij, ndërsa pretendoi përpara efektivëve në anglisht se po shkonte për në Hamburg dhe se nuk kishte armë apo drogë me vete. Deklarata e tij nuk i ka bindur policët të cilët kanë ushtruar kontroll në pjesën e pasme të automjetit, ku u gjetën dy pako me gjithsej 2.3 kilogramë kokainë të fshehura nën një mbulesë plastike në pjesën e motorit. Vlera e sasisë së kokainës së sekuestruar, arrinte në 167 mijë euro.
Pas kontrollit policia vuri në pranga shqiptarin, emri i të cilit për arsye hetimore nuk është bërë ende publik.





