Në rrugët periferike të Durrësit, problematikat e komunitetit janë të shumta.

Pikërisht në zonën e ish-Kënetës, shumë pranë vendit ku një natë më parë u regjistrua një aksident rrugor, që la të plagosur dy të rinj që po lëviznin me motor, mbeturinat kanë pushtuar gjithë hapësirën përreth kazanëve, duke u kthyer në një vatër ndotjeje mjedisore.

Ekspozimi ndaj temperaturave të larta i mbeturinave urbane rrezikon shëndetin e komunitetit aty, por ky nuk është problemi i vetëm. Shumë puseta anës rrugës apo në trotuar janë pa kapakë, ndërkohë që shtylla e ndriçimit shtrihet në anë të rrugës dhe e ka humbur funksionin për të cilën është vendosur.

Në orët e vona të natës, mungesa e ndriçimit dhe pusetat e hapura mund të vënë në rrezik jetën e komunitetit, që banon përgjatë rrugës “Vala e detit”.  

Ndërkohë, shqetësim më vete për banorët janë edhe gjarpërinjtë apo brejtësit, të cilët depërtojnë deri në brendësi të zonave të banuara për shkak se barishtet e rritura përgjatë trotuarit dhe buzë asfaltit krijojnë një habitat të përshtatshëm për lëvizshmërinë e këtyre gjallesave.

“Shkojnë fëmijët atje, thyejnë këmbët. Ku të dalim, janë copë-copë. Po na dalin minjtë, gjarpërinjtë! Asnjë lloj pastrimi nuk bëhet. Të priten këto shkurret, s’ka ardhur njeri fare t’i pastrojë”,– thotë një banor i zonës.

Në një kohë që Durrësi mbetet një nga destinacionet më tërheqëse turistike të vendit dhe zona historike e pjesa bregdetare vizitohen nga flukse turistike nga vende të ndryshme të botës, periferia e qytetit ofron këtë pamje.

Rikthimi në atdhe i qindra banorëve të këtyre zonave periferike gjatë muajve të verës për të kaluar pushimet pranë familjeve duket se nuk do t’u rezervojë surpriza.

Përtej imazheve të kuruara të videove të propagandës për një qytet që lahet, pastrohet e dezinfektohet, realiteti që ofrojnë shumë lagje të Durrësit qëndron mjaft larg atij të një destinacioni të vizitueshëm në 12 muaj të vitit.

M.B.