Nga BUJAR QESJA

Me 1 shkurt 2023, Iliaz Elezi plotësonte 93 vite jetë. Por befasia e ndarjes nga jeta, e evitoi këtë matematikë. Largimi mbetet i beftë, i papritur, i menjëhershëm. Duke ndjekur problematikën e dhëmbëve gjatë vizitës rutinë, mjekët i rekomanduan të vinte pas pak ditësh. Në çast ndjen dhimbje në gjoks dhe brenda pak minutash humbet ndjenjat. Kalimi me shpejtësi në repartin e urgjencës, nuk i dha shpresë. Mjekët nuk mundën të bënin asgjë para asaj goditje fatale, që kishte rënë mbi trupin e Iliaz Elezit.

Osman Firza, i afërt i tij, mbetet ende i shokuar nga mënyra se si u nda nga ne përjetësisht Iliaz Elezi, ky kolos i atletikës durrsake. Nëse rendisim vlerat e trajnimit të Bashkim Tagës, Rifat Kazazit, Idriz Çinarit dhe Shefqet Ferrit, pa as më të voglin dyshim Iliaz Elezi, mbetet ndër violinat e para të orkestrës gjigande të atletikës.

I lindur në Gjakovë me 1 shkurt 1930, Elezi u bë nga durrsakët më të njohur. Kultura dhe komunikimi i tij janë të veçantë. Ndonëse u angazhua shumë herët me vrapimet, duke qenë ndër të parët atletë të Durrësit, nuk u lodh së punuari, së drejtuari, me një stil tejet të veçantë. I qetë, me të folurën origjinale që nuk e kishte humbur shijen e gjuhës së vendlindjes, Iliaz Elezi ishte kthyer figurë qendrore e atletikës në stade të avancuara profesionale.

Thuhet se për të larguarit nga jeta nuk flitet keq, por në rastin e Iliazit fjalët e zgjedhura i shkojnë staturës njerëzore që krijoi. Ishte kthyer nga Gjakova, njerëzit e të cilit i donte si veten, e takova. Kishte vendosur në dorë bastunin, i domosdoshëm pas heqjes së tri gishtave të njërës këmbë, nga krijimi i diabetit rebel. Por ruhej dhe kujdesi për shëndetin ishte i patolerueshëm. E donte Durrësin. Përgjërohej për durrsakët, pasi kishte punar me to, kishte ndërtuar familjen nga ky komunitet dhe gjithçka jetike e ndante me to.

Nga lidhja martesore me Lumturi Kadiun, nga derë e njohur e njërit prej fiseve Kadiu në Durrës, u lindën tre djem: Arbeni, Indriti dhe Saimiri. Emra të pastër shqiptarësh, duke treguar me këtë rast edhe ndjenjat patriotike të Iliazit. Para tri vitesh, goditet rëndë nga largimi i papritur nga jeta i Arbenit. Viti i ri 2019. Teksa përfundoi turnin e punës, në moshë të re humbet jetën nga një infarkt akut i miokardit. Jetonte në Milano. Goditje e rëndë për Iliazin dhe familjen e tij. Indriti është larg në emigracion në Kanada. Ndërsa Saimiri banon në Italinë fqinje, Firence. Këtu shkonte shpesh çifti Elezi.

Puna e Iliaz Elezit me atletikën durrsake, është me histori të hershme, që në fillim të viteve 60-të, pasi më parë vraponte edhe vetë. Nuk mund të shkruash qoftë dy rradhë të vetme për atletikën, nëse nuk i referohesh emrit të Iliaz Elezit. Origjina nga Kosova, nuk shikohej me sy të mirë nga sistemi i djeshëm dhe e pengonin në ecurinë e merituar që i takonte. Punoi si normist në ORMN dhe NSHMN, duke kapërdier hijet e dyshimit, e duke u dhënë shumë pas seriozitet në punë dhe në atletikë si trajner.

Ekipet që drejtonte Iliaz Elezi kanë dalë 15 herë kampionë kombëtarë në krose, 13 herë në maratonë, 4 herë në gjysëm maratonë, 2 herë në Kupë Republike. Nga shkolla atletikës Elezi u stërvitën 750 atletë, pjesë e të cilëve kaluan në elitë. Këmbëngulja, pasioni dhe zelli i jashtëzakonshëm, ambicja për të dhënë maksimalen ia zbardhën faqen. Përgatiti 50 kampionë, të cilët përmirësuan 21 rekorde kombëtare. Ekipet kombëtare në gara brenda dhe jashtë atdheut u furnizuan me 21 atlete, 10 prej të cilëve shumë cilësorë.

Nga mosha 10-19 vjeçare, modeli i trajnimit të Iliaz Elezit i dha Durrësit 24 tituj kampionë vetëm në garat e mesme. Janë dy mjeshtra të merituar të sportit dhe 10 mjeshtra sporti. Atleti fantastik Isuf Curri në vrapimet e 1500, 5000 dhe 10000 metrave, i përgatitur nga Elezi, janë ende të pathyera rekordet kombëtare. E asi tjetër i atletikës, mbetet i mrekullueshmi Shefik Dervishi, i ndarë nga jeta para dy vitesh.

Maratona e Iliaz Elezit, është tjetër kapitull që do të mbetet si kurorë lavdije në atletikës e Durrësit, me atletë të tillë si Idriz Kazazi, Daut Falli, Hasan Korra etj. I matur, me pak fjalë ai bëri gjithçka mundi për ti mbajtur lart kuotat e atletikës. Jeta e gjatë 93 vjeçare i dha emër dhe nam edhe më të madh. Kur ecnim me të njerëzit e respektonin. Ai ndalonte. Takonte me to. Bënte ndonjë shaka dhe vazhdonte përsëri ky ritual.

Atletika durrsake është goditur rëndë nga humbja e Iliaz Elezit. Sportit durrsak iu largua njëri prej figurave më aktive, që gjithë kohën e mbuloi këtë sport me një krenari të merituar. Familjes iu prenë më shumë krahët, kur nuk do tia dëgjojnë frymëmarrjen. Të afërmit gjithashtu. Miqtë dhe shokët, po edhe ata gjithashtu.

Do të më mungosh edhe mua Iliaz, kronikanit pasionant të sporteve siç më thoje. Isha mësuar të të shikoja gati përditë, teksa më ngrije lart bastunin prej majës të së cilës më dukej se shikoja, majën e arritjeve të atletikës që e ngrite aq lart bir i denjë i Gjakovës, por edhe i Durrësit tënd.

Tani më lejo edhe profesori im i atletikës, të të jap lamtumirën e fundit, i bindur dhe i palëkundur se portreti yt do të më mbetet kurdoherë i gjallë, kurdoherë i pastër si vetë shpirti dhe zemra jote. Dhe kjo jo vetëm mua.

Lamtumirë Iliaz Elezi! Lamtumirë nga baballarët dhe staticieni unik i atletikës durrsake!Lot dhe dhimbje për ty, i miri ynë i përjetshëm Iliaz Elezi.

Durrës: 7 nëntor 2022