Pas deklaratave të Ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman për emigrantët shqiptarë, vjen një reagim nga presidenti shqiptar, Bajram Begaj.
Ai tha se nuk ishte dakord me deklaratën e Braverman, duke shtuar se nuk mund të anatemohen dhe të etiketohen shqiptarët si pushtues për faktin se ata jetojnë dhe punojnë kudo në botë.
“Shqiptarët janë integruar në shumë vende të botës dhe kanë ndërtuar jetën dhe punuar në mënyrë normale duke paguar taksa. Nuk është e drejtë të bullizohen në këtë lloj gjejë. Natyrisht ka edhe elemente anësore të padëshiruar që mund të kenë lidhje me krimin. Por nuk janë vetëm shqiptarët. I kam kërkuar qeverisë britanike investimet e saj t’i bejë në drejtim të zonave ku ka emigrante, rruga e duhur për mua dhe kërkesa ime ndaj tyre është investimet e qeverise angleze ne këtë rajon të behen te prekshme nga qytetaret dhe mos te jene vetëm ne kuadrin e këshillimeve. Por të jenë investime me qellim që këta qytetarë që ikin për një jetë më të mirë të punojnë e të jetojnë në Kukës, Dibër, Has e Tropojë. Kërkesë tjetër e imja ka të bëjë me hapjen e një mikrokonsullate angleze në Kukës që të bëje të mundur që qytetarët të ikin me viza të rregullta të përkohshme për të punuar si punëtorë sezonal”, tha Begaj.
Po ashtu Begaj u ndal te situata në Veri të Kosovës.
“Mesazhi im për autoritetet e Kosovës është që të ruhet qetësia të vazhdojë dialogu sepse vetëm përmes dialogut mund të arrihet zgjidhja e problemit, situata globale në tërësi është e cënuar, situate është e qetë, por shume e brishtë dhe në çdo kohë mund të këtë tensione. Ne si komb duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos biem pre e provokimeve.”, pohoi Begaj.