Në një bashkëbisedim me të rinjtë e Bashkisë Kamëz, Kryeministri i vendit Edi Rama ka thënë se po të thuash në mediet britanike që Shqipëria është vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe në Evropë, është sikur të ju thuash që të mos vijnë në Shqipëri për turizmin dhe të mos vijnë që të ushqejnë ekonominë shqiptare.
Edi Rama: Të thuash në mediet britanike që Shqipëria është vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe në Evropë, kjo nuk është të bësh luftë politike këtu, kjo është t’i bësh atë që i kanë bërë këtij vendi një soji politikanësh dhe një soji xhakajdurësh publikë që nga 1912-a. Ndryshojnë emrin, pamjen, por është i njëjti soj sepse të thuash atë, do të thotë t’i thuash atyre atje: Mos hajdeni në Shqipëri për turizmin, mos hajdeni të hani ushqimet tona, të ushqeni ekonominë tonë, ndërkohë që turizmi është një nga motorët më të rëndësishëm të zhvillimit tonë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama tha se me sytë e së ardhmes, Shqipëria nuk është ajo që duhet të jetë teksa ka shtuar se duhet të bëjnë çmos që të bëhet ajo që duhet të jetë.
Edi Rama: Sot, Shqipëria nuk është ajo që duhet të jetë sepse po të ishte ajo që duhet të ishte, unë nuk do të isha këtu me Rakipin, por nëse është e vërtetë, Shqipëria është njësoj si kjo këtu. Kjo këtu është dita me diell me natën me hënë krahasur me atë që ishte. Me sytë e të ardhmes, kjo këtu nuk është ajo që duhet të jetë. Duhet të bëjmë çmos që kjo këtu të bëhet ajo që duhet të jetë dhe të mos mjaftohemi me faktin që është si dita me natën me atë që ishte.