Një person është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Vlorë, pasi nuk iu bind urdhërit të policisë për të ndaluar, teksa po lëviste me një mjet pa targa dhe i maskuar.
Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate ku rreth orës 01:50 nga shërbimet e forcave “Shqiponja” u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Hasan Hasanaj, banues në Vlorë, lagjia “Partizani”, pasi ky shtetas lëvizte me automjetin e tij tip “Porsche” ngjyrë blu pa targa dhe nuk ju bind urdhrit për të ndaluar por u largua me shpejtësi në brendësi të lagjes Isa Boletini. Pas ndjekjes për rreth 15 minuta ai u arrestua.
Në momentin e prangosjes ky shtetas tha se ishte konfliktuar në një klub në qytetin e Vlorës dhe për këtë arsye ishte i maskuar dhe madje kishte hequr targat e mjetit.
Gjatë kontrollit të mjetit u gjet një maskë, 1 mjet prerës thikë dhe targat e automjetit. Gjatë testit të kryer për alkool ai rezultoi të ishte i dehur.





