Pas mbledhjes me kryesinë e partisë, kryeministri Rama ka folur për mediat, ku është pyetur ndër të tjera lidhur me retorikën e ashpër të këtyre ditëve në në kuvend dhe tonet e ashpra me deputetët Edi Paloka e Bujar Leskaj.
Rama tha sërish se dy deputetët ishin të dehur, ndërsa pohoi:
“Për pak u deha dhe unë nga aroma e alkoolit që kishin pirë dhe besoj se vetëm të dehurit mund të flasin me atë gjuhë dhe as mund t’ua them çfarë gjuhe ishte, në mes të parlamentit”.
I pyetur nëse e konsideron etik fjalorin e përdorur nga ai vetë, Rama tha se këtë le ta gjykojnë gazetarët, ndërsa ju kthye sërish financimeve ruse .
“Ata janë bedelë në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Hapni fjalorin dhe lexoni çfarë do të thotë bedel.
Sot është dita për t’i dhënë përgjigje një pyetje: Pse paratë ruse u derdhën në Shqipëri tek një parti politike për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi?
Patjetër tek një parti e opozitës, patjetër tek një parti që ishte në opozitë me qeverinë, por ishte qeveria e këtij vendi”, tha Rama ndërsa shtoi se lidhjet me këto financime nuk janë ndërprerë.