Turneu i tenisit “Durrës Open” startoi sot në qytetin bregdetar me pjesëmarrjen e 30 sportistëve të vegjël U12, U14 dhe U16 nga 6 ekipe shqiptare.

Për sportistët e vegjël të Tenis Plus, emocionet janë të mëdha. Tenisti më i mirë i ekipit dhe kampion kombëtar është Aleks Prifti, që premton shumë për të ardhmen.

I përkushtuar prej 4 vitesh në këtë sport, Aleksi 14-vjeçar numëron 35 kupa deri më tani, të fituara në turne të ndryshme.

Edhe në këtë turne, ai hyn me një objektiv të qartë, të fitojë kupën dhe pse jo të nisë të hedhë hapat e sigurt për një karrierë profesioniste në këtë disiplinë.

Ndërkohë për sportistët, që i janë bashkuar së fundmi ekipit “Tenis Plus” pjesëmarrja është mjaft e rëndësishme, sidomos për vajzat.

Nikol Mollaj rrëfen për “DurrësLajm” se ka ardhur ta shijojë këtë eksperiencë, por pse jo, edhe të fitojë.

Edhe Kevin Dakoli shpreson të njëjtën gjë, por e rëndësishme për të është të japë më të mirën e tij.

Trajneri Maks Prifti na tregon se vitet e fundit, gjithnjë e më shumë fëmijë po i përkushtohen tenisit, ndërsa ekipet me përfaqësimet më të mira janë Tirana, Durrësi, Korça dhe Shkodra

Por cilat janë përfitimet nga ky sport?

Sipas tenistëve Tedi Teferiçi dhe Nikol Mollaj, tenisi i mban të angazhuar me aktivitet fizik duke qëndruar larg kafeneve dhe duhanit, por njëkohësisht i orienton drejt jetesës së shëndetshme.

“Dita ime shkon shumë bukur kur luaj tenis, i harroj të gjitha shqetësimet”,- thotë tenistja Mollaj.

Durrësi ka talente të spikatur në tenis dhe kjo vjen edhe falë mbështetjes që bashkia i ofron për krijimin e terreneve të përshtatshme sportive.

“Falë investimit të bashkisë janë bërë dy fusha të mrekullueshme për të cilat ne jemi krenarë dhe I shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”,– thotë trajneri Prifti.

Turneu “Durrësi Open” mbyllet ditën e dielë, kur do të shpallen edhe tenistët më të mirë të këtij kompeticioni.

M.B.