Në një konferencë për mediat me Kryeministrin Edi Rama, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj u përgjigj në lidhje me akuzat se Bordi i Transparencës në vendimet që merr favorizon kompanitë e shitjes së karburanteve.
Ministrja sfidoi mediat të vërtetojnë çfarë thuhet për funksionimin e tij.
“Ju sfidoj ju dhe këdo tjetër të vërtetoni atë që mediat kanë thënë dhe kanë rithënë në raste të ripërsëritura. Ju supozoni që Bordi merr vendimet jo në bazë të ecurisë së bursës, por në bazë të interesave që janë në fakt inekzistente,” u shpreh Ibrahimaj.
Më tej Ibrahimaj tha se është ulur marzhi ndjeshëm dhe se hidrokarburet tregohen ne dollarë dhe gjatë këtij viti leku shqiptar është zhvlerëzuar ndaj dollarit.
“Ne kemi ulur marzhin ndjeshëm, më shumë sesa në gjysmë të marzheve që operoheshin një vit më parë. Hidrokarburet tregohen ne dollarë dhe gjatë këtij viti leku shqiptar është zhvlerëzuar ndaj dollarit. Një element i rëndësishëm që kalkulohet në cmimet e bursës është dhe kursi i këmbimit.
E premtja kur cmimi i bursës u rrit por kursi ishte favorizues dhe i tregtimit në vend u ul.
Kur bëhet analiza duhet bërë me gjithë komponentët. Bordi fuksionon në bazë të ligjit e me përgjegjësi të plotë ju them që aludimi që bëni nuk është i saktë dhe jo korrekt,” tha Ibrahimaj.