Një derbi i pazakontë, pasi nuk u luajt as në Shijak dhe as në Durrës, madje në një ditë dhe orar të papërshtatshëm për të afruar sa më shumë tifozë.
Ja disa nga momentet më pikante të ndeshjes Teuta-Erzeni, që u zhvillua në stadiumin e Rrogozhinës për shkak se fusha e “Niko Dovanës”, aty ku janë pritës të dyja skuadrat këtë sezon, i është nënshtruar procesit të mbjelljes së barit.
- -Rreth 700 të pranishëm në stadium, nga ku tifozët e Erzenit u dalluan për mbështetjen e zjarrtë që i dhanë skuadrës nga fillimi dhe deri në fund. E njëjta gjë ndodhi edhe në fazën e parë në Durrës.
- -Në minutën e 32-të pati xixa në fushë mes brazilianit të Erzenit, Enk de Soza dhe kapitenit të Teutës, Emiliano Vila, pas një dueli ajror që patën lojtarët dhe durrsaku u rrëzua në fushë. Në këtë moment ndërhyri kapiteni i Egnatias, Krasniqi, për të qetësuar gjakrat.
- -Lorenco Vilës i kishte munguar shumë goli dhe festimi i bërë pasi shënoi e tregoi qartë këtë. Sulmuesi i Teutës bëri rreth 30 metra sprint për të ndarë gëzimin me trajnerin Bledi Shkëmbi, ndërsa më pas lëshoi disa herë britma, që u morën për keq nga tifozët e Erzenit, të cilët në atë moment nisën të hidhnin sende në fushë.
- -Trajneri durrsak i Erzenit, Xhevahir Kapllani, dikur kampion me Teutën, e ka përjetuar më shumë se këdo këtë duel. Emocionet nuk mund t’i fshehte, madje edhe pas ndeshjes nuk pranoi të prononcohej, duke ia kërkuar këtë ndihmësit të tij, Alfred Deliallisi, i cili gjithashtu ka një të kaluar të suksesshme si futbollist te durrsakët.
- -Ka një mosmarrëveshje gjatë lojës mes portierit Xhika dhe mbrojtësit të majtë, Peposhi, për një top të kthyer. “Po hiqe o burr, hiqe topin, pse ma jep mua?! Ku ta çoj”, ishte britma e portierit të Erzenit.