Banorët e Divjakës kanë protestuar përsëri për ndërtimin e biletarisë në rrugën hyrëse të plazhit dhe parkut. Për të disatën herë ata kundërshtojnë të paguajnë një tjetër taksë për të shkuar në plazh.

Sipas tyre, pylli i Divjakës u mbrojt nga banorët nga djegia dhe shkatërrimi edhe i vitit ‘97, ndaj shtimi i një tjetër takse rëndon më tepër ekonominë e qytetarëve vendas.

Për një vizitor që shkon në Parkun Kombëtar Divjake-Karavasta duhet të paguajë 100 lekë dhe 200 lekë për shëtitjen me varka që prej vitit 2018.

Pagesa në rrugën hyrëse është e ndryshme për mjetet dhe 50 lekë për qytetarët e Divjakës.

Ministria e Turizmit ka vendosur që trau të jetë në hyrje të rrugës së vetme që të çon për në plazh, ndaj banorët duhet të paguajnë taksen prej 50 lekësh sa herë të kalojnë në zonë.