Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në fjalën e tij në Kuvend pasditen e sotme, deklaroi se miliona euro dërgohen në xhepat e oligarkëve nga kontrabanda e naftës.
I ashpër ka qëndrimi i tij edhe për Portin e Durrësit, ndërsa theksoi se po e çojnë në Porto Romano, pranë oligarkëve. Ai tha se do të flasë me emra.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Radarin Informativ” në Abc, me gazetaren Juli Xhokaxhi Salianji deklaroi se ka prova të plota për ato që tha.
Salianji: Kam prova të plota për ato që thashë. Është e dukshme dhe e qartë që shoqëria shqiptare nuk ka forcën e domosdoshme për të ndaluar skema të tilla mafioze të pronësimit të Shqipërisë nga 5 veta maksimumi. Sot çështja me e rëndësishme është grabitja e Portit të Durrësit, një prej aseteve më të rëndësishme për shqiptarët. Janë të gjitha skema të kalimit të parave të qytetarëve drejt oligarkëve. Nuk kemi luftë siç thotë Rama, kemi vjedhje.
Salianji theksoi se duhet të ketë reagim nga ana e qytetarëve, të cilët nuk duhet të lejojnë që paratë e tyre të pronësohen nga një klan sipas tij “tipik mafioz.”
Deputeti tha se Porti i Durrësit është një nga pronat më të mira publike që vlen më shumë se sa investimi që do të bëhet nëse shitet me çmimin e tregut.
Salianji: Përveç kësaj afere me Portin e Durrësit, zhvendosja e Portit do t’i kushtojë shqiptarëve 2 miliard euro. Kemi të bëjmë me afera të mëdha. Oreksi vjen duke ngrënë. Këtyre i vjen oreksi duke vjedhur. Jemi në situatën ku këta po i japin të gjitha. Duan të bëhen pronarë të Shqipërisë. Qytetarëve që do mbeten këtu “do t’i thonë ose rrini këtu dhe bëhuni skllevër ose merrni rrugët.” Sot dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, ku qeveria po kalon shumë afera dhe projekte që do rëndojnë në xhepat e qytetarëve, vëmendja duhet mbajtur aty.
Për sa i përket protestave, Salianji tha se nuk duhet të ndalojnë pasi janë një domosdoshmëri për të ruajtur Shqipërinë dhe xhepat e qytetarëve.