Përkujtohet sot në 9-vjetori i ndajes nga jeta të Sokol Olldashit, një nga figurat më të spikatura të Partisë Demokratike dhe politikës shqiptare.
Vdekja e Olldashit ende kujtohet nga shumë figura të njohura politike dhe nga familja e tij.
Olldashi u lind më 17 dhjetor 1972 në Durrës. Ai ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë për 4 mandate. Në vitin 2005 i ngarkohet detyra e Ministrit të Rendit, të cilën e dorëzoi për t’u kandiduar në postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë më 2007. Pas humbjes së këtij kandidimi, nga viti 2007, mbajti postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë.
Në korrik të vitit 2013, pas humbjes së zgjedhjeve elektorale nga Partia Demokratike dhe dorëheqjes së Sali Berishës nga posti i kryetarit të partisë, ai kandidon për kryetar partie, përballë Lulzim Bashës, por nuk fiton.
Më 20 nëntor 2013, Sokol Olldashi vdiq pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Krrabë. Makina e tij doli nga rruga duke u rrëzuar 20 metra poshtë në humnerë. Sokol Olldashi gjeti vdekjen e menjëhershme.