I gjithë qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, është aktualisht pa energji elektrike. Shkak për këtë është bërë një sulm me raketa nga forcat ruse, përfshirë edhe kryeqytetin e Kievit.
Vendi fqinj Moldavia raportoi gjithashtu ndërprerje “masive” të energjisë elektrike, megjithëse nuk është goditur drejtpërdrejt.
Kryetari i bashkisë së Lviv u bëri thirrje njerëzve të strehohen, ndërsa kreu i rajonit të Kievit tha se infrastruktura kritike dhe shtëpitë ishin sulmuar.
Gjithashtu më shumë se gjysma e Moldavisë është pa energji elektrike, shkroi në Tëitter zëvendëskryeministri Andrei Spinu.
“Errësirë masive në Moldavi pas sulmit të sotëm rus në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, tha ai.
Më herët, një alarm për sulm ajror u lëshua në të gjithë Ukrainën, i ndjekur nga raporte për shpërthime në një numër vendesh.
Kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovy, tha se fëmijët ishin dërguar në strehimore me mësuesit e tyre – dhe u bëri thirrje prindërve që të mos i merrnin derisa të mbaronte alarmi.
Pak para raporteve të reja nga Kievi dhe Lviv, zyrtarët thanë se Ukraina jugore ishte gjithashtu nën një sulm të ri.
Guvernatori i rajonit të Mykolaiv paralajmëroi për “shumë raketa” që po godisnin qytetin nga jugu dhe lindja.
Në rajonin e afërt të Zaporizhzhia, një foshnjë e porsalindur u vra teksa një raketë goditi një njësi materniteti , thanë shërbimet e urgjencës.
Rusia u fajësua për sulmet, por ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Moska.
Ndërprerjet e planifikuara dhe të paplanifikuara janë bërë të zakonshme në shumë pjesë të Ukrainës si rezultat i sulmeve të fundit ajrore.





