Enkelejd Alibeaj ka ngritur pyetjen përse nuk është bërë garë ndërkombëtare për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit.

Gjatë fjalës së tij në Parlament për projektin e Portit të Durrësit, Alibeaj akuzoi se investitori Muhamet Alabbar do të marrë në Durrës pasuri me vlerë 730 milionë Euro.

Ndër të tjera, deputeti Alibeaj akuzoi edhe Kryeministrin Edi Rama se nuk po mbron interesat e Shqipërisë, por sipas tij, po bën avokatin e investitorit.

“Ky Alabbari i famshëm që na paska ardhur në Shqipëri, pse nuk ka garë. A nuk duhet të kishte një sjellje e cila të mbronte interesin e shqiptarëve? Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit na detyron për të bërë gara. Si na ardhka ky këtu dhe harxhoka 160 meleonë apo 80 meleonë dhe i fal jo pak por 730 milionë Euro nga pasuria e shqiptarëve. 818 mijë metra katrorë të ‘zemrës’ së Shqipërisë, ia kafshon këtë pjesë të truallit Shqipërisë dhe e fal. 400 milionë euro është vetëm vlera e truallit. Ç’është ky kaq i pasur që paska nevojë që t’i falësh 160 milionë nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë? Ç’qenka ky njeri që mund të vijë në Shqipëri që ti i fal 60 milionë nga ndërtimi që do kryejë që do duhet të shkojë për strehimin social. Ku është bujari në këtë mes? Kush është bamirësi? Nuk mund të bëhesh avokati mbrojtës i Muhamet Alabbar. E keni për detyrim kushtetues ligjor moral të jesh mbrojtës i pasurisë së shqiptarëve. Ti ke ndërruar rolet, ti je bërë avokat i atyre. Na takon neve ta mbrojmë.

I keni votat do ta votoni. Na vika një investitor mbi qilim fluturues dhe na vjen vetëm me 80 milionë Euro për 818 mijë metra katrorë, për 730 milionë pasuri e shqiptarëve që ne ja japim atij. Ndërkohë ç’fitojmë ne? Në rastin më të mirë 280 milionë Euro. Është një pasuri 730 milionë e vlerësuar sot. Dhe pas 20 vitesh jallah po të marrim 280 milionë Euro. Kjo është të përdorësh Portin e Durrësit si mall pa zot”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.