Myrto Uzunit i është dashur pak kohë që të tërheqë vëmendjen e opinionit sportiv botëror me golat dhe lojën e tij me fanellën e Ferencvarosh. Sulmuesi la shenjë në Ligën e Kampioneve me golin ndaj Juventusit dhe që atëherë ka qenë në vëmendjen e mediave të ndryshime që kanë treguar historinë e tij.

Më e fundit ka qenë prestigjiozja “AS” në Spanjë e cila ka treguar të kaluarën e tij të vështirë, ndërsa ndiqte ëndrrën për t’u bërë futbollist.

“Ikëm në Greqi për të pasur nëj jetë më të mirë. Babai im punonte në ndërtim, ndërsa mamaja ime lante pjata në një restorant. Edhe mua më duhej të punoja, e ndihmoja atë. Punoja 12 orë dhe luaja futboll, edhe pse më duhej që të ngrihesha në orën 6. Asnjëherë nuk hoqa dorë nga ëndrra ime.

Shkoja në shkollë vetëm në dimër. U mundova të bëja nëj provë te Olimpiakos, që të shihnin talentin tim, por nuk kisha dokumentat në rregull. Në këtë moment babai im tha që ishte më mirë të ktheheshim në Shqipëri që të mund të luaja në nëj ekip futbolli.

Ata sakrifikuan për mua. Më pa një trajner dhe më mori në klubin e tij, te Apolonia. Në miqësoren e parë shënova dy gola. Brenda gjashtë muajsh më kërkonin të gjithë klubet.

Cristiano Ronaldo është pika ime e referimit, njoh historinë e tij, lexoj çdo gjë për të. Ai ishte pika ime e referimit. Në Shqipëri nuk ka shumë akademi, ky ishte problem.

Më duhej edhe të paguaja 12 euro në muaj që të shkoja në stërvitje dhe 5 që të merrja furgonin për në ndeshje. Nuk kisha para e nuk ndalesha së qari në shtëpi. Pagova dy muaj dhe m’u desh t’ua kërkoja paratë miqve të mi”, ishin fjalët e Uzunit për fillimet e tij.

Më pas ai shkëlqeu me Apoloninë dhe me Laçin, ku takoi edhe Solskjaer, në vitin kur kurbinasit luajtën me Molden.

“Më tha që kisha luajtur mirë dhe mund të luaja në çdo ekip nëse do t’ia vija vetes qëllim. Që në atë javë më tha Lokomotiv Zagrebi që më dëshironin. Këtë mars më kontaktuan Espanjol dhe Majorka, por gjithçka u ndal nga pandemia.

Takimi me Ronaldon ishte një ëndërr, ashtu siç ishte pas ndeshjes kur Morata më përgëzoi për ndeshjen që kisha zhvilluar. E ardhmja? Hap pas hapi, nuk dua të bëj gabime. Dua vetëm të shënoj dhe jap asiste. Për mua tani është e rëndësihmja, si dhe të fitoj ndeshje dhe të luaj në Champions. Kam ëndrra të mëdha, por preferoj të mos i them”, ishin fjalët e Uzunit.