Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediat pasi prezantoi vendimet e marra në mbledhjen e sotme të qeverisë, foli dhe për samitin e 6 Dhjetorit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe masat e marra në kuadër të samitit.

Kreu i qeverisë tha se dita e martë nuk do të jetë pushim por do të vijojë puna normalisht, ndërsa shtoi se masat që do të merren janë standarte të përcaktuara nga KiE.

“Nuk është marrë asnjë ditë pushimi. Nuk ka asnjë ditë pushimi. Është lajm i rremë, puna do të vazhdojë normalisht. Sa iu përket masave të sigurisë, ato nuk negociohen me askënd. Janë masa sigurie që merren bazuar në të gjitha standardet dhe rregullat e vendosura nga vetë komisioni, KiE që kudo ku zhvilojnë aktivitete kanë masa standarde. Forcat tona të sigurisë punojnë me organizatorët e samitit që janë në fakt në KiE prej shumë kohësh, për masat e sigurisë. Nuk janë çështje opinionesh, mendimesh, diskutimesh. Janë masa shumë të rrepta sigurie aq më tepër në situatën ku këtu do të vijnë të gjithë liderët e BE. Padiskutim për ta ka masa ekstreme sigurie kudo që lëvizin dhe sa herë që lëvizin”,-tha Rama.