Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit, Muhamet Rrumbullaku thirri në takim disa përfaqësues të PD-së për t’i sqaruar arsyet e refuzimit të kërkesës për protestë para kryeministrisë me 6 dhjetor.
Rrumbullaku ka dhënë arsyet e refuzimit të kërkesës për zhvillimin e protestës së 6 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, si edhe ku do të jetë edhe perimetri i sigurisë.
Por ndërkohë dje në dritë kanë dalë zbuluar edhe planet e “Foltores”, e cila po lëviz gjithë gurët, deri në joshjen e militantëve me lekë, për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga Sali Berisha më 6 dhjetor.
Mësohet se i frikësuar se mos i dështojë protesta, ndonëse nuk ka lejë, Berisha ka urdhëruar lakenjtë e tij që të hedhin para, duke paguar me çdo protestues, përfshirë edhe transportin, fjetjen në hotele dhe ushqimin.
Në dalje të këtij takimi, eksperti ligjor pranë “Foltores”, Çlirim Gjata theksoi se protesta është e drejtë kushtetuese dhe se protesta do të jetë paqësore.
“Pra siç e dini kemi kërkuar disa ditë më para një protestë të opozitës më 6 dhjetor në orën 12:00. Kjo kërkesë s’na është plotësuar për duan të na ndryshojnë vendndodhjen për arsye të sigurisë dhe për këtë diskutuam sot”, tha ai.
Berisha sfidon policinë
Por këmbëngulja e policisë për të mos hapur rrugë, duket se nuk e ka zmbrapsur Sali Berishën, i cili dje për mediat e ka cilësuar si “madhështore” protestën e thirrur më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti i Bashkimit Europian- Ballkani Perëndimor.
Edhe pse policia nuk ka pranuar kërkesën e “Foltores” për të protestua para Kryeministrisë, për shkak të perimetrit të sigurisë, Berisha me tone të larta u shpreh se “Bulevardin nuk do ta lëshojnë”.
“Liderët Europian nuk janë si Edi Rama, janë zgjedhur me votë të lirë. Ata e dinë se nga vota e lirë vendos gjithçka. Gjithçka është në dorë të protestuesve dhe organizatorëve.
Në Bulevardin nuk e lëshojmë”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, dje gjatë një takimi me demokratë të njësive, 1, 3 dhe 11 në Tiranë, Berisha zbuloi edhe arsyet se porse “Foltorja” do protestojë më 6 dhjetor.
“Protesta jonë, nuk ka asnjë shenjë proteste përveç se mikpritje ndaj liderëve të BE-së. Por duhet të jemi të vërtetë, protesta jonë ka të bëjë me një armik të vlerave evropiane në Shqipëri, i cili për fat të keq, duke grabitur votën e shqiptarëve, përfaqëson shqiptarët në atë samit dhe ky është Edi Rama.
Ne dalim në atë protestë, me misionin për ti paraqitur Europës dhe botës se aty janë të paktën 1 mijë gazetarë, të vërtetën, apo Shqipërinë reale, të vërtetat e zeza të regjimit monist të Edi Ramës.
Të regjimit të Ramës, i cili duke grabitur votën e qytetarëve dhe aspak me meritë, duke shndërruar shtetin e tërë në një makineri elektorale, duke përdorur miliona narkoeuro për të blerë votën, duke përdorur banda dhe rivendosur sistemin e patronazhistëve që në segmente të caktuara ka funksionuar identik si terroristë të kuq, ai ka grabitur votat e shqiptarëve dhe ulet së bashku me liderët të zgjedhur me votën e lirë të popujve të tyre.
Në këtë kontekst protesta jonë është zëri i popullit opozitar për vlerat europiane dhe kundër një armiku të vlerave Europiane në Shqipëri, që është Edi Rama”, nënvizoi Berisha.