Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ditën e sotme do të zhvillojë një bashkëbisedim live me qytetarët dhe gazetarët. Kreu i qeverisë thotë se do të flasë për situatën dhe problemet e vendit tonë në vigjilje të samitit të BE-së në Tiranë.
“Dhe me ftesën që të shihemi këtu LIVE në orën 11:00 për përgjigjet e pyetjeve tuaja më me “spec”, mbi situatën e problemet e vendit tonë në vigjiljen e takimit më të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare, Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, ju uroj një të diel të mbarë”, shkruan Rama.
Kujtojmë që samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet më 6 dhjetor. Samiti do të zhvillohet në një klimë politike aspak të qetë, kjo për shkak të protestës së PD-së.
Ndërkohë nga ana tjetër, kanë nisur përgatitjet për samitin. Liderët e BE-së do të priten nga Kryeministri Edi Rama në sheshin “Italia”. Më pas seanca plenare do të zhvillohet në një prej kullave të stadiumit.