Kryeministri Rama ka reaguar me anë të një postimi në Twitter, pas shembjes së kompleksit “Prestige Resort.”
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit dhe forcat xheniere shembën rreth orës 15:00 me shpërthim të kontrolluar objektin 7-katësh në vijën bregdetare të Kavajës.
Kryeministri shkruan se ky operacion nuk ka lidhje me medien, por me fundin e një historie ndërtimesh pa leje.
Deri tani janë 15 vendime konfiskimi, dhe siç theksoi kryeministri, kontrollet do të vazhdojnë.
“Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi!Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë!
Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median. Ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi!Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj! Janë deri tani 15 vendime konfiskimi. Kjo e sotmja s’është e vetmja prishje, e në ndërkohë kontrollet po vazhdojnë. Do të futet një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik (maksimumi çdo 60 ditë) të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Të tjerat janë llogje pa lidhje!“,- shkruan Rama.