Teksa ditën e sotme në Tiranë po mbahet Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri i Greqisë, Kiriakos Mitsotakis foli lidhur me çështjen e detit me Shqipërinë.
Në fjalën e tij para gazetarëve, kryeministri grek u shpreh se çështja e detit me Shqipërinë “është një çështje në diskutim e sipër mes dy vendeve, me shumë ndërlikime ligjore”, ndërsa shtoi se mes tij dhe kryeministrit Edi Rama ka një dakordësi për ta zgjidhur çështjen bazuar në ligjin ndërkombëtar.
“Mendoj se kemi bërë hapa përpara muajt e fundit dhe mendoj se ka një dakordësi mes meje dhe kryeministrit se duam ta zgjidhim këtë çështje bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe të gjejmë një marrëveshje për firmosjen e një dokumenti që do të na lejonte që ta çonim këtë çështje në gjykatën ndërkombëtare”, deklaroi Mitsotakis.
“Jam optimist se edhe pala shqiptare do të bëjë pjesën e saj që të shkojmë sa më shpejt në këtë pikë”, shtoi kryeministri grek.
Në lidhje me situatën mes Kosovës dhe Serbisë, Mitsotakis tha se ka inkurajuar gjithmonë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa theksoi se të dyja palët duhet të bëjnë një hap pas.
“Gjithmonë kemi inkurajuar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të zhvillohet në mirëbesim nga të dyja palët. E kuptojmë kompleksitetin e çështjes, por jemi të vetëdijshëm që duhet zgjidhur çështja dhe që të zgjidhet, të dyja palët duhet të bëjnë një hap pas. Pa u zgjidhur kjo, do të jetë e vështirë që të bëjmë progresin e nevojshëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, tha kryeministri grek.