Kreu i Partisë Demokratike, po mban fjalën e tij në protestën e thirrur këtë të martë paralelisht me punimet e samitit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij, Berisha teksa iu uroi mirëseardhjen liderëve të BE-së tha se ne jemi fatkeq për faktin se sot përfaqësohemi në këtë samit me njeriun që duhet të ishte para drejtësisë.

“U shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme për ndihmën e gjithanshme për ndihmën që i jepni Shqipërisë prej dekadash”, tha Berisha.

Më tej kreu i PD theksoi: “Ne jemi fatkeq, për faktin se sot përfaqësohemi në këtë samit me njeriun i cili duhet të ishte para drejtësisë dhe jo aty i ulur me ju. Ndihemi fatkeq sepse pushteti i atij që na përfaqëson, qëndron mbi krimin elektoral, votën e vjedhur, drogën, korrupsionin dhe të zeza të tjera ndaj këtij kombi. Ky samit është një mundësi e artë që shqiptarëve t’iu dëgjohet zëri, ndaj dhe ne, siç e kërkon tradita, miqve do t’iu themi të vërtetën. Ne nuk jemi këtu në një manifestim festiv siç do të donim të ishim.  Nuk mund të pranonim që ky samit historik për vendin tonë të paraqitej si mbështetje për Ramën dhe qeverinë e tij”.