Pas javësh me radhë me disa ekipe që ndanin kreun, më në fund Superliga e basketbollit të meshkujve ka një lider të vetëm.
Falë fitores 70-65 ndaj Besëlidhjes, është Teuta skuadra që komandon në renditje.Kampionët në fuqi siguruan suksesin e shtatë sezonal, duke mos falur në shtëpi ndaj ekipit lezhjan në takimin përmbyllës të javës së nëntë.
Ndërkohë, Besëlidhja, pas katër fitoreve radhazi që prej marrjes se drejtimit të ekipit nga Afrim Bilali, pëson shijen e humbjes.Në pallatin e sportit “Ramazan Njala” përballeshin dy nga pretendentët kryesorë për titullin.
Koshi i parë mban firmën e Beqos, që realizon për dy pikë për Besëlidhjen, ndërsa do të duhet të kalojnë 1 minutë e gjysmë për të parë pikët ne para të Teutës, teksa Vires shënon për 3, duke përmbysur në 3-2.
Perioda vijon me rivalitet, ndërsa Teuta e bën diferencën në minutat e fundit, duke e fituar këtë fraksion 20-13.Skuadra e Melzin Lazimit luan më mirë edhe në periodën e dytë, ku fiton 22-16, duke shkuar në pushim me epërsinë e përgjithshme 42-29.
Pas pushimit Besëlidhja kërkon reagimin, ndërsa durrsakët kanë rendimet të ulët në sulm.
Kështu lezhjanët e fitojnë periodën e tretë 12-19, ndërsa pas 30 minutash rezultati shënon 54-48 për bregdetarët.Miqtë nuk dorëzohen dhe këmbëngulin deri në fund, teksa arrijnë që të afrohen deri në 2 pikë (67- 65), 1 minutë nga sirena përfundimtare.
Gjithsesi Teuta e menaxhon mirë kohën e mbetur, teksa Hysa për 2 pikë dhe Lilaj me një goditje të saktë të lirë vulosin suksesin me +5 diferencë për të zotët e shtëpisë.
Amerikani Marcus Petterson debutoi si shënuesi më i mirë te Teuta. Ndonëse e nisi nga pankina dhe u aktivizua për vetëm 15 minuta lojë, ai realizoi 15 pikë.
Gjithashtu për vendësit spikatën edhe Sullivan me 10 pikë e 12 ribaunde si dhe Vires me 14 pikë.