Mes krizës së emigracionit të paligjshëm që ka pllakosur Britaninë e Madhe, Franca që ka marrëveshje me këtë vend për të parandaluar nisjet me varka të vogla e gomone nga brigjet e saj, ka rritur së fundi numrin e patrullimeve në La Mansh.

BBC thotë se fakti që rojet bregdetare franceze kanë vendosur të nxjerrin në ujërat e tyre edhe dy anije të tjera për t’u marrë me numrin në rritje të emigrantëve që përpiqen të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, konsiderohet një lëvizje e “paprecedentë”.

Ky hap i autoriteteve franceze vjen pas një rrebeshi kritikash ndaj reagimit francez pas incidentit në nëntor 2021. Sivjet, një numër rekord njerëzish, apo më shumë se  40,000 njerëz kanë bërë kalime të tilla. 12 mijë prej tyre janë shqiptarë. Ndërsa në vitin 2020, kjo shifër ishte vetëm 50. Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ra dakord të rrisë pagesat për Francën me 8 milionë paund më shumë në vit, duke e çuar në 63 milionë £ në përpjekje për të ndaluar kalimet në La Mansh me mjete të vogla lundruese.

Paratë do të paguhen për shtimin e mbikëqyrjes së plazheve franceze, ndërsa oficerët e policisë në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë gjithashtu në gjendje të vëzhgojnë patrullimet brenda Francës.