Në një parashikim për fundjavën që presim përpara; sinoptikanët parashikojnë që vendi ynë do të ndikohet nga një situatë e agravuar meteorologjike.

Kjo situatë vjen si pasojë e depërtimit të një qëndre të thellë të presionit të ulët zhvilluar në Oqeanin Atlantik drej rajonit të Ballkanit.

Kjo qendër e presionit të ulët (front atmosferik) pritet të shoqërohet me masa ajri tepër të lagështa dhe vlera të ulta të presionit, raporton Sherbimi Meteorologjik Ushtarak.

Për ditën e nesërme deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët ndërsa në veriperëndim dhe jug reshjet me intensitet mesatar dhe të lartë në formë rrebeshesh dhe stuhi.

Pas orëve të mesditës dhe deri në orët e mesditës të ditës së Diel; reshjet me intensitet mesatar dhe të lartë shtrihen në pjesën më të madhe të territorit në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike. Lokalisht këto reshje do të jenë të rrëmbyeshme shoqëruar me erë të fortë.

Moti i vranët vijon edhe ditën e Diel por pas orëve të mesditës ato humbasin intensitet dhe bëhen të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formë shtrëngatash. Në relievet e larta malore në zonën e Alpeve dhe verilindje reshje dëbore.

Gjithashtu duhet theksuar se pritet edhe erë intensive me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare në tokë 3-9m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era arrinë shpejtësitë deri në 15-20m/s duke u shoqëruar me dallgëzim të lartë në dete të forcës 4-7 ballë.

Megjithatë duhet marrë në konsideratë se këto janë projeksionet e fundit të hartave meteorologjike. Duke qenë se situata është dinamike mund të ketë ndryshime të mëtejshme cka do të meret në analizë në projeksionet e tjera në orët në vijim.