Një nga shqetësimet kryesore të Teutës së këtij sezoni është mënyra e lehtë e pësimit të golave.
Këtë e tregon më së miri numri i madh i tyre në 12 javë kampionat, teksa blutë kanë pësuar më shumë se cilado skuadër, plot 18 gola.
Thuajse në gjithë fazën e parë dhe në ndeshjen e fundit me Erzenin për kampionat, stafi teknik ka qenë i detyruar të bëjë arnime në mbrojtje, duke improvizuar lojtarë të krahut në qendër dhe anasjelltas.
Kjo ka ardhur pas problemeve të shpeshta fizike që kanë pasur në muajt e fundit dy qendërmbrojtësit e mirëfilltë, të cilët e nisën sezonin si titullarë, Artan Jazxhi dhe Harrallamb Qaqi.
Kjo bëri që ish-trajneri Bledi Shkëmbi të improvizonte në rolin e qendërmbrojtësve dy lojtarë të krahut të majtë si Kuro dhe Kotobelli.
Gjithashtu, në krahun ku këta të fundit duhet të luanin, shpesh është improvizuar Hektor Idrizaj, që në fakt është mbrojtës i djathtë.
Tashmë, pas rikthimit në pankinë të Edi Martinit, për fatin e tij dhe të skuadrës në tërësi, grupi do të jetë më i plotë se kurrë në prag të transfertës ndaj Kukësit, që luhet të dielën në orën 13:00.
Martini pritet të rikthejë të gjithë lojtarët në pozicionet natyrale dhe gjasat janë që në qendër të mbrojtjes të luajnë si titullarë Jazxhi dhe Qaqi.
Këta të fundit kanë lënë pas problemet fizike dhe tashmë në prapavijë është rritur edhe konkurrenca, pasi nëse preferohet dyshja Jazxhi-Qaqi, atëherë do të kemi balotazh për një vend në krahun e majtë mes Qaqit dhe Kotobellit, edhe pse ky i fundit duket më i favorizuar.
Në krahun e djathtë janë të gatshëm për të luajtur nga minuta e parë dy lojtarë: Marku dhe Idrizaj.
Në fakt, vlonjati është i vetmi që mund të mungojë, pasi vjen pas një dëmtimi në pulpë.
Ndeshja në Kukës është shumë delikate për skuadrën, nisur edhe nga vetë pozicioni në tabelë.
Edhe kalendari nuk është në favor të durrsakëve, sepse më pas i presin përballje të forta ndaj Tiranës dhe Vllaznisë.