Një shtetas libian është akuzuar nga SHBA për prodhimin e bombës që shkatërroi avionin Boeing 747 në zonën ajrore të Skocisë, duke lënë të vdekur 270 persona.
SHBA njoftoi dy vite më parë se shtetasi Abu Agila Masud ka luajtur një rol kyç në bombardimin e 21 dhjetorit të vitit 1988.
Muajin e kaluar u raportua se Masud ishte rrëmbyer nga një grup në Libi, duke shtuar spekulimet se ai do t’i dorëzohej autoriteteve amerikane për t’u gjykuar.
Shkatërrimi i avionit është akti terrorist më i rëndë i shënuar në tokën britanike. Në bordin e avionit udhëtonin 259 persona, pasgjerë dhe ekuipazhi.
Avioni ishte nisur nga Neë York drejt Londrës, kur u godit me bombë, duke u rrëzuar më pas në zonën e Lockerbie-s në Skoci.
Avioni u rrëzua në disa shtëpi, duke lënë të vdekur edhe 11 persona të tjerë.
Në vitin 2001, Abdul Basset al Megrahi u dënua për bombardimin në Pan Am 103, pasi u gjykua në një gjykatë skoceze të mbledhur posaçërisht në Holandë.
Ai ishte i vetmi njeri që u dënua për sulmin. Megrahi u dënua me burgim të përjetshëm, por u lirua në vitin 2009 pasi u diagnostikua me kancer. Ai vdiq në Libi në vitin 2012.
Megrahi, i cili gjithmonë pretendonte pafajësinë e tij, bëri dy apelime kundër dënimit të tij me 27 vjet.
Një zëdhënës i Zyrës së Kurorës dhe Shërbimit Fiskal të Prokurorit (COPFS) tha: “Familjeve të të vrarëve në bombardimin në Lockerbie u është thënë se i dyshuari Abu Agila Mohammad Mas’ud Kheir Al-Marimi (“Mas’ud” ose “Masoud “) është në paraburgim në SHBA.
“Prokurorët dhe policia skoceze, duke punuar me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe kolegët amerikanë, do të vazhdojnë të ndjekin këtë hetim, me qëllimin e vetëm për të sjellë para drejtësisë ata që vepruan së bashku me Al Megrahi.”





