Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është takuar me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa tensionet në Kosovë janë rritur mes autoriteteve atje dhe serbëve etnikë. Të shtunën një granatë trullosëse u hodh në drejtim të Policisë së BE-së në veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën, dhe policia lokale shkëmbeu zjarr me grupe të panjohura.

NATO, e cila ka trupa paqeruajtëse në Kosovë, u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin provokimet. BE-ja ka bërë të njëjtën gjë, duke paralajmëruar se nuk do të tolerojë sulme ndaj policisë së BE-së ose akte kriminale. Të hënën, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell përsëriti thirrjen e tij për de-eskalim të situatës, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

“Ata duhet të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund tendencës për të luftuar, për të krijuar bllokada,“-tha ai.

Trazirat e fundit u shkaktuan nga arrestimi i një ish-oficeri serb të policisë të shtunën. Duke folur për agjencinë e lajmeve “Reuters” pas takimit me këshillin e tij të sigurisë kombëtare, Vuçiç tha se donte të qetësonte situatën. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i përshkroi protestuesit si “banda kriminale” dhe kërkoi nga Forcat paqeruajtëse të Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO që të heqin barrikadat.

Policia e Kosovës tha se ata kishin qëlluar me armë në lokacione të ndryshme afër një liqeni në kufi me Serbinë të shtunën, e të shtënave iu kundërpërgjigjën për vetëmbrojtje. Kosova shtoi efektivët e Policisë në zonat me shumicë serbe – të cilat nuk e njohin qeverinë e Kosovës, por kjo lëvizje i rriti edhe më tej tensionet.

Vuçiç tha se përdorimi i policisë ka shkelur marrëveshjet e mëparshme të paqes. Ai tha se planifikonte t’u kërkonte paqeruajtësve të NATO-s leje për të dërguar policinë dhe trupat serbe në zonë, megjithëse pranoi se kishte pak mundësi që kjo të jepej. Sa herë që rriten tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ose ndërmjet pakicës serbe të Kosovës dhe autoriteteve në Prishtinë – paqeruajtësit e KFOR-it të NATO-s luajnë një rol vendimtar.

Ata nuk duhet të bëjnë asgjë të veçantë. Thjesht prania e 4000 trupave shumëkombëshe ka qenë e mjaftueshme për të parandaluar çdo problem serioz për pjesën më të mirë të dy dekadave. Autoritetet në Beograd mbështeten në KFOR për të garantuar sigurinë e serbëve të Kosovës. Ata i frikësohen përsëritjes së dhunës në vitin 2004, e cila rezultoi në vdekjen e më shumë se një duzinë serbësh, qindra të plagosur dhe mijëra të zhvendosur. Në të njëjtën kohë, prania e KFOR-it vepron edhe si garanci se Serbia nuk do të dërgojë asnjë nga forcat e veta në Kosovë. Beogradi është i vetëdijshëm se angazhimi me trupat e NATO-s nuk do të ishte jashtëzakonisht i mençur.

Pra, ndërsa tensionet mund të mbeten të larta, çdo incident ka të ngjarë të jetë i izoluar. Megjithatë, BE-ja do të punojë ‘jashtë orarit’ për të sjellë të dyja palët rreth tryezës për të arritur një zgjidhje afatgjatë.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas luftës së përgjakshme njëvjeçare një dekadë më parë. Serbia nuk e njeh atë si një shtet sovran, megjithatë pranon autoritetin qeverisës sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar në 2013 për normalizimin e marrëdhënieve. Nga 1.8 milionë banorë që jetojnë në Kosovë, 92% janë shqiptarë dhe 6% janë serbë. 

Rreth 50,000 njerëz në zonat me shumicë serbe kanë refuzuar deri më tani të përdorin targat e Kosovës sepse nuk e njohin pavarësinë e saj nga Serbia. Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE-ja në fund të nëntorit solli dy vendet në përfundimin se Kosova nuk do i gjobiste ata që nuk ndërronin targat, por edhe Serbia nuk do lëshonte më targa serbe.