Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kanalin Anglez, ku një varkë me emigrantë është përplasur në orët e para të mëngjesit pranë Kentit.

Sekretarja e Brendshme tha se “mendimet e saj të përzemërta” ishin me të përfshirët në këtë ngjarje.

“Jam në dijeni të një incidenti shqetësues në Kanal këtë mëngjes dhe jam duke u përditësuar vazhdimisht ndërsa agjencitë përgjigjen dhe urgjentisht përcaktojnë faktet e plota”, shtoi Sekretarja e Brendshme Suella Braverman.

Gazetari Simon Jones i BBC-së tha se u kuptua se kishte të vdekur, por autoritetet nuk i kanë konfirmuar ato.

Operacioni i madh i kërkim-shpëtimit u nis në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar në kushte të vështira me temperatura të ulëta.

Roja bregdetare e Mbretërisë së Bashkuar, Marina Franceze dhe një ambulancë ajrore u dërguan të gjithë për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.

Një varkë peshkimi në zonë dhe helikopterë të rojes bregdetare nga Lydd dhe Lee on Solent u përfshinë në operacion gjithashtu.