Avokati Naim Hasani deklaroi se plani me 5 pika i paraqitur nga kryeministri britanik, Rishi Sunak për dëbimin e emigrantëve shqiptarë të paligjshëm, përbën një nga masat më drastike që ka marrë Britania e Madhe në kohët e fundit.
Në emisionin “Review” në Euronews Albania, Hasani u shpreh se këtë vit, në Britaninë e Madhe kanë mbërritur 13 mijë shqiptarë, kryesisht me gomone.
Një shifër e tillë, sipas avokatit, kanë alarmuar autoritetet britanike.
“Në radhë të parë dua të them se statistikat që ju paraqitët, janë me të vërtetë trishtuese për atë numër të madh shqiptarët që po tentojnë një udhëtim vdekjeprurës, tejet të rrezikshëm në një nga ngushticat më të rrezikshme në botë.
Një pjesë e jashtëzakonshme e atyre që ndërmarrin një udhëtim të tillë, janë njerëz të dëshpëruar që nuk iu kanë mbetur asgjë në vendin e tyre. Në Britani, këtë vit kanë ardhur 405 mijë shtetas të huaj. Nga këta, 44 mijë kanë hyrë në Britani ilegalisht, kryesisht me gomone. Nga 44 mijë, 13 mijë është numri i qytetarëve shqiptarë që kanë hyrë ielgalisht.
Pavarësisht problemeve që ka Shqipëria, pavarësisht varfërisë që ekziston, mungesës së shpesës, së alternativës për një jetë më të mirë, kjo dyndje e jashtëzakonshme tregon se diçka nuk funksionon në Shqipëri. Prandaj, autoritetet britanike janë shokuar përballë një fenomeni të tillë.
Ka një numër më të madh se Siria dhe Afganistani. Duke parë një situatë të tillë, qeveria britanike ka shpallur një numër masash, që janë ndoshta masat më drastike dhe janë marrë kryesisht për shqiptarët”, theksoi ai.
Plani me 5 pika për largimin e emigrantëve shqiptarë:
Së pari, do të ketë një komandë të re, të unifikuar të anijeve të vogla, ku do të përfshihet ushtria, forcat civile dhe inteligjenca.
Së dyti, emigrantëve ilegale do t’u ndalohet të hapin llogari bankare.
Së treti, azilantët nuk do të strehohen më në hotele, por në konvikte dhe magazina ushtarake.
Së katërti, punonjësve që trajtojnë rastet e azilit do u bëhet shumë e qartë se Shqipëria është vend i sigurt. Ata që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, duhet ta provojnë këtë, tha Sunak.
Së pesti, në fillim të vitit të ri qeveria do të nxjerrë ligje për të siguruar që njerëzit që mbërrijnë në MB ilegalisht nuk do të mund të kërkojnë azil këtu.





