Nga BUJAR QESJA

E marta e 27 dhjetorit 2002, në orët e pasdites, na sjell lajmin e trishtë, plot brengë dhe dhimbje për familjen Veselagu. Janë ditët e fundit të vitit 2022 dhe njerëzia bëhet gati të festoj dhe të uroj, për fillimin e mbarë të vitit të ri 2023.

Festë Krishtlindjesh. Atmosferë gëzimi në vigjilje të vitit 2023. Por ti plak, që lajmëron ardhjen e vitit të ri dhe largimin e vitit të vjetër, pse ndryshove qëllimin, duke na sjell një lajm të kobshëm, rënduar zemrat, e shkatërruar shpirtin? Pse na e more Metin tonë, për të na lënë në humnerën e një dhimbje shumë, shumë të rëndë?

Si pasojë e infarktit akut të miokardit, pasi po luftonte për mbijetesë, pasditen e kësaj të marte, mbylli sytë përgjithnjë, nga miqtë më më të mirë, një durrsak i thekur, një qytetar i mrekullueshëm, një prind i rrallë, një bashkshort si ai, një vëlla i respektuar, një gjysh që sapo ndjente aromën e mrekullueshme të mbesës aq të dashur Emarës.

Do na mungosh Met Veselagu! Do t’i mungosh familjes. Do t’i mungosh Ritës, që aq shumë u mundua të bënte të pamundurën për të jetuar. Do t’i mungosh Xhenit, kësaj pneumologe që po na nderon në Pavia të Italisë. Do t’i mungosh Denisit, që doje të ishte në krenarinë e basketbollit durrsak. Do t’i mungosh Luçit, që çdo ditë dëgjonte vështirësitë e tua në frymëmarrje.

Por do të na mungosh edhe ne miqve të t’u, që të donim pa masë. Do t’i mungosh gjithashtu edhe Ben Mustafës, vajtimin e të cilit po e ndjeja në aeroportin e Romës, teksa nxitonte për të ardhur drejt teje, për të të puthur për herë të fundit në faqe. Ishit si dy vëllezër. Do t’i mungosh edhe familjes së Brilandit, vëllait tënd aq të dashur, që me 4 nëntor 2020 prehet në paqen e tij.

Largimi yt nga jeta më erdhi papritur. Me ngarkesat e ditës, me hallet e mëdha që kalon secili, po mundohesha të gëzoj familjen në këtë prag të mbylljes së vitit. Po ushqeja brenda vetes optimizmin, për të filluar një vit të ri sa më optimist dhe me sa më pak shqetësime. Por ja ky lajm i zi si pendët e korbit, na këputi krahët dhe na hodhi pëlhurën e vajtimit.

Mekanik i njohur në fabrikën e duhan cigareve. Atje lidhe jetën, me vajzën e bukur të fisit të Mustafëve Meritën, duke ndërtuar së bashku një familje për t’u patur zili. Ndryshimi i sistemit të gjeti me një biznes privat dhe u përpoqe mjaft për ta zhvilluar këtë aktivitetet dhe të krijoje të ardhura të mjaftueshme, për të shkolluar e nxjerrë në jetë fëmijët.

Shumë je lodhur. Kemi bsieduar së bashku, shumë e shumë herë. Lodhjes tënde, ngarkesa të mëdha që ke kaluar në jetë, mbase edhe nikotina e duhanit ka bërë nxitje, që trupi yt i fuqishëm, të brehej nga mola e së keqes. Trupi yt po binte. Një kollë që u bë kronike, po ta merrte shpirtin. Nuk të la të qetë.

E doje jetën. E doje familjen. Por edhe ne shokëve dhe miqve na përkushtoheshe. Prandaj edhe doje që të kishe frymë. Kalove senatoriume. Xheni u bë copash, për të të sjellë ilaçet më të fundit nga Italia.

Të gjithë uronim të përmirësosheshe dhe të ktheheshe në përditësinë optimiste të jetës. Por në nëntor 2020, lajmi i largimit nga jeta të vëllait tënd Brilandit të llahtarisi. E ndjeve shumë. Një lot të nxehtë tëndin, e kam edhe tani shenjë në duart e mia.

Nuk mund të të harroj çfarë bëre për Denisin! U bëre pjesë aktive e basketbollit. Diskutoje me dëshirë dhe doje që djali yt të ndihmonte në ecurinë e basketbollit durrsak. Nuk mund të kaloja nga pika jote e biznesit, se do të vrapoje për të më ftuar për një kafe dhe për një bisedë aq të ëmbël që bëje.

65 vjeç dhe të mendojmë që s’të kemi më, kjo na përvëlon në shpirt. Mosha më e mirë për të jetuar. Sa ke ndhmuar me atë zemrën tënde të bardhë! Sa kurajo na jepje, për të përballuar këtë mbijetesë të çmëndur të këtij, që vazhdojmë ende ta quajmë tranzicion lemeritës.

Nuk do të më shkitet e qeshura jote, humori yt që shkonte në vijë të drejtë me fisnikërinë dhe mirësinë tënde. Mund të shkruaj gjatë Met Veselagu, sepse e gjatë dhe brilante ishte miqësia e jonë. Fltinim për Durrësin. Diskutonim për durrsakët. Dhe ishim në një mëndje. Janë të mirët tanë.

Dhe tash, më duhet të jap lamtumirën e fundit. Meti jonë i mirë! Nuk mund ta besoj, jo jo nuk mund ta besoj, se nuk do të shoh më. Ishe aq i bukur, aq i qeshur, aq zotni saqë vërtet nuk do të mund ta besoj.

Lamtumira e fundit! Do të prehesh në dheun e Durrësit tënd, në paqe ashtu siç ishe gjithnjë paqësor. Dhe do të vimë të takohemi dhe të bisedojmë si gjithnjë.

Veçse tani, në kujtesën dhe memorien tonë.

Durrës: 27 dhjetor 2022