Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë zhvilluan sot së bashku një konferencë ku prezantuan arritjet për vitin 2022 dhe sfidat e vitit ku sapo kemi hyrë.

Në fjalën e tij ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pranoi “dështimin” e qeverisë për të shmangur mbipopullimin e burgjeve, duke rrëfyerpër të parën herë se numri i të personave në paraburgim ka tejkaluar atë të të dënuarve.

Në sistemin e burgjeve, numri i të paraburgosurve tejkalon numrin e të dënuarve. Sa i përket paraburgimit, ne kemi një mbipopullim. Pse vjen kjo? Mbipopullimi ka shumë faktorë, por lidhet edhe me veprimtarinë e sistemit gjyqësor. Drejtësia është pushtet i pavarur, por sa i takon sistemit të hetimit dhe ndjekjes penale, në të gjitha rekomandimet tona ne kemi pjesë të rekomandimeve që prokuroria dhe sistemi i drejtësisë do duhet të aplikojë gjithë alternativat e dënimit”, tha ai.

E teksa qeveria nuk ka paraqitur ndonjë plan për ndërtimin e ndonjë IEVP-je të re gjatë vitit 2023, ministri propozoi një zgjidhje “alla-Manja” për zgjidhjen e këtij problemi, duke propozuar një amnisti penale që do të “shfrynte” sistemin e ngarkuar të burgjeve.

Për vitin 2023, nuk mund ta them saktësisht kohën, në objektivat tona është që t’i propozojmë parlamentit shqiptar miratimin e një amnistie penale. Kohën nuk mund ta them, por është objektivi ynë“, theksoi ministri.