Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ka prezantuar instalacionin artistik “I ❤ DURRËS”, një simbol të ri që synon të promovojë identitetin kulturor, historik dhe turistik të qytetit.

I vendosur në shëtitoren Taulantia, instalacioni është realizuar nga skulptorët durrsakë Ibrahim Reçi, Amarildo Reçi dhe Ergys Reçi. Vepra është konceptuar si një pikë referimi urbane, ku qytetarët dhe vizitorët mund të ndalen për të realizuar fotografi dhe për të krijuar kujtime nga vizita e tyre në Durrës.

“”I ❤ DURRËS” nuk është thjesht një instalacion artistik, por një simbol i dashurisë për qytetin tonë, për detin, historinë dhe njerëzit që i japin jetë çdo ditë.

I vendosur në shëtitoren Taulantia, ky krijim i skulptorëve durrsakë, Ibrahim, Amarildo dhe Ergys Reçi, mishëron identitetin kulturor dhe turistik të Durrësit, duke promovuar vlerat e një qyteti me histori mijëravjeçare, bukuri natyrore dhe një lidhje të pandashme me detin.

I konceptuar si një pikë referimi urbane, instalacioni synon të jetë një hapësirë takimi, ku qytetarët dhe vizitorët mund të ndalen, të fotografojnë çaste të veçanta dhe të krijojnë kujtime që i lidhin me Durrësin.

Ju ftoj ta vizitoni në shëtitoren Taulantia dhe të bëhemi të gjithë pjesë e këtij mesazhi të thjeshtë, por plot domethënie:

“I ❤ DURRËS”.”, njofton Sako.